E rëndë në Greqi! 32-vjeçari hyn me forcë në banesë dhe plagos ish-partneren dhe burrin e saj, fëmijët ndodheshin brenda

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Lavrion në Greqi, ku një 32-vjeçar dyshohet se ka hyrë me forcë në banesën e ish-partneres së tij dhe ka sulmuar me thikë atë dhe partnerin e saj aktual. Të dy të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ndodhi rreth orës 00:15 në zonën Kavodokanos, në Lavrio. 32-vjeçari dyshohet se u ngjit në ballkonin e banesës dhe theu me çekiç xhamin e derës së ballkonit për të hyrë brenda, ndërsa më pas sulmoi çiftin me thikë.
Gruaja 32-vjeçare pësoi plagë në shpinë, mushkëri dhe gjymtyrët e sipërme, ndërsa partneri i saj 33-vjeçar u plagos në klavikulë, brinjë dhe në zonën gjenitale. Të dy u transportuan fillimisht në spitalin Asklipieio Voulas. Për shkak të gjendjes së saj, gruaja u dërgua më pas në spitalin Evangelismos, ndërsa 33-vjeçari vijon të trajtohet në Voulë.
Sipas autoriteteve, 32-vjeçari, shtetas rumun, ishte denoncuar pesë herë nga ish-partnerja e tij që prej 27 nëntorit 2025, për raste që lidhen me kërcënime në kuadër të dhunës në familje, shkelje të detyrimit për ushqim dhe shkelje të të dhënave personale. Pas denoncimit të parë, gruas i ishte dhënë edhe pajisja “panic button”. Rreth një muaj para sulmit, më 3 shtator 2026, ai ishte arrestuar për kërcënim në kuadër të dhunës në familje dhe shkelje të legjislacionit për armët.
Në momentin e sulmit, në banesë ndodheshin edhe dy fëmijët e mitur të çiftit, përkatësisht 2 vjeç e gjysmë dhe 1 vjeç e gjysmë, të cilët po flinin. Pas ngjarjes, 32-vjeçari u dorëzua vetë në komisariatin e Lavreotikis. Ndaj tij është ngritur dosje për tentativë vrasjeje, ndërsa hetimet për rrethanat e plota të ngjarjes vijojnë.
/vizionplus.tv




