web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

KLSH zbulon mangësi në monitorimin e Lanës/ AKM kontrolloi vetëm 2 nga 4 stacione

2 Tetor 2026, 09:18, Aktualitet CNA

KLSH zbulon mangësi në monitorimin e Lanës/ AKM kontrolloi

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka evidentuar se Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk ka realizuar monitorimin e plotë të lumit të Lanës, në kundërshtim me parashikimet e Programit Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit.

Sipas auditimit, në Programin Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit janë përcaktuar 4 stacione monitorimi përgjatë lumit të Lanës, por AKM ka monitoruar në vijimësi vetëm 2 prej tyre, duke lënë pa monitoruar dy stacionet e tjera të përfshira në rrjetin e monitorimit.

“Nga auditimi u konstatua se, Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk ka realizuar monitorimin e plotë, sipas përcaktimit në Programin Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit, si më poshtë:

Në Programin Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit janë përcaktuar 4 stacione monitorimi përgjatë lumit të Lanës, ndërsa Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka monitoruar në vijimësi vetëm 2 nga stacionet e monitorimit në këtë trup ujor, duke mos kryer monitorim të 2 stacioneve të tjera të monitorimit, të përcaktuar nga projekti CEMSA dhe të përfshirë në rrjetin e stacioneve të monitorimit të mjedisit”, thuhet në gjetjet e KLSH-së.

Programi parashikon 21 tregues mjedisorë, përfshirë 16 tregues të gjendjes, 4 të ndikimit dhe 1 të trysnisë. Megjithatë, AKM ka monitoruar vetëm 10 tregues të gjendjes.

“Në Programin Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit janë përcaktuar 16 tregues mjedisorë të gjendjes, 4 tregues mjedisorë të ndikimit dhe 1 tregues mjedisor i trysnisë (në total 21 tregues) për t’u monitoruar, ndërsa Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka monitoruar vetëm 10 prej treguesve mjedisorë të gjendjes”, thuhet në gjetjet e raportit të KLSH-së.

KLSH zbulon mangësi në monitorimin e Lanës/ AKM kontrolloi

Një tjetër gjetje e evidentuar nga auditimi i KLSH-së lidhet me elementët biologjikë të cilësisë. Sipas të dhënave gjatë gjithë periudhës së shqyrtuar nuk është siguruar monitorimi i tyre, pavarësisht se parashikohen në program. Sipas gjetjeve, kjo ka pamundësuar vlerësimin e statusit ekologjik të lumit të Lanës.

Po ashtu edhe frekuenca e monitorimit nuk është respektuar. Programi përcakton që treguesit e gjendjes të monitorohen çdo dy muaj, ose 6 herë në vit, ndërsa AKM i ka analizuar në mënyrë stinore, pra 4 herë në vit.

Në gjetjet e KLSH-së evidentohet gjithashtu mungesa e thirrjeve publike në fillim të viteve përkatëse, për të përfshirë institucione publike, akademike apo subjekte të tjera në analizimin e treguesve që nuk kryhen nga vetë AKM.

Sipas auditimit, mungesa e monitorimit të të gjitha stacioneve nuk lejon vlerësimin e ndikimit dhe niveleve të ndotjes në zona të ndryshme të lumit, ndërsa mosanalizimi i të gjithë treguesve pengon një vlerësim të plotë të statusit ekologjik.

Kështu mbeten pa të dhëna të plota edhe elementë të rëndësishëm si substancat e rrezikshme, treguesit mikrobiologjikë dhe pesticidet.

“Në asnjë rast përgjatë periudhës së auditimit nuk rezultoi të jetë siguruar monitorimi i elementëve biologjikë të cilësisë, pavarësisht përfshirjes së tyre në Programin Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit, duke pamundësuar vlerësimin e statusit ekologjik të lumit të Lanës.  Frekuenca në Programin Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit për monitorimin e treguesve mjedisorë të gjendjes është përcaktuar “çdo dy muaj”, ndërsa Agjencia Kombëtare e Mjedisit e ka kryer këtë monitorim në frekuencë stinore, pra çdo 3 muaj, duke analizuar treguesit 4 herë në vit, e jo 6 herë në vit sipas frekuencës së përcaktuar.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk rezultoi të ketë publikuar shpallje/ thirrje në fillim të viteve përkatës, me qëllim që subjektet e interesuara publike/ akademike, etj., të paraqesin interesin e tyre për të dhënë kontribut lidhur me analizimin e treguesve që nuk kryhen nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit.

Mungesa e monitorimit të të gjithë stacioneve të monitorimit pamundëson vlerësimin e ndikimit dhe niveleve të ndotjes në pjesë të caktuara me ndikime/ presione të ndryshme, ndërkohë që mungesa e analizimit të të gjithë treguesve pamundëson vlerësimin e plotë të statusit ekologjik të trupit ujor, duke mos mundësuar të dhëna mbi prezencën e substancave të rrezikshme, aspektit mikrobiologjik, pesticideve, etj”, theksohet në raportin e KLSH-së.

Auditimi ka evidentuar probleme edhe sa u përket substancave prioritare të përcaktuara nga legjislacioni shqiptar dhe Direktiva 2013/39/EU.

Nga 47 substancat prioritare të parashikuara, AKM ka siguruar monitorimin vetëm të 5 metaleve të rënda: arsenik (As), bakër (Cu), merkur (Hg), kadmium (Cd) dhe plumb (Pb), përmes një kontrate me Universitetin Bujqësor të Tiranës për vitet 2022–2023.

Sipas gjetjeve, 42 substancat e tjera prioritare, ku përfshihen edhe pesticide dhe substanca të ndryshme kimike, nuk janë monitoruar gjatë periudhës së auditimit.

“Sa i përket substancave prioritare të përcaktuara në Direktivën 2013/39/EU, VKM-në nr. 246, datë 30.04.2014 dhe VKM-në nr. 267, datë 07.05.2014, ku përfshihen substanca të ndryshme kimike, metale të rënda, pesticide (si Chlorpirofos, etj.), nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit është siguruar kryerja e monitorimit vetëm sa i takon 5 metaleve të rënda (As, Cu, Hg, Cd, Pb) (nëpërmjet kontratës së lidhur me Universitetin Bujqësor të Tiranës për vitet 2022-2023), ndërkohë që Agjencia Kombëtare e Mjedisit vetë nuk i kryen këto analiza dhe nuk ka siguruar kryerjen e monitorimit të pjesës tjetër të 42 substancave prioritare përgjatë viteve periudhë auditimi”, nënvizohet në raport.

KLSH zbulon mangësi në monitorimin e Lanës/ AKM kontrolloi

KLSH thekson se fondet e alokuara për zbatimin e Programit Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit kanë qenë vazhdimisht të pamjaftueshme. Kjo ka bërë që AKM të prioritizojë disa prej stacioneve të monitorimit dhe të kufizojë kontraktimin e palëve të treta për analizat që nuk mund të kryhen nga vetë institucioni.

“Pavarësisht miratimit të Programit Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit, për zbatimin e të cilave ngarkohet Agjencia Kombëtare e Mjedisit, fondet e alokuara kanë qenë vazhdimisht të pamjaftueshme për realizimin e plotë të monitorimit. Kjo ka sjellë që Agjencia Kombëtare e Mjedisit të prioritizojë stacionet që do të monitorojë, pavarësisht miratimit të tyre në Programin Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit, si dhe kufizim në lidhjen e kontratave me palë të treta për analiza/ monitorime që nuk kryhen nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit”, thuhet në raportin e KLSH-së.

Më poshtë do të gjeni edhe rekomandimet e KLSH-së për AKM-në:

Rekomandimi: Agjencia Kombëtare e Mjedisit të hartojë dhe publikojë thirrje/ shpallje për shfaqjen e interesit nga institucione shtetërore/ akademike, etj., sipas praktikës institucionale, për realizimin e monitorimit të treguesve të cilët janë pjesë e Programit Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit, por nuk analizohen nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit.

2.1. Rekomandimi: Në përfundim të çdo viti, Agjencia Kombëtare e Mjedisit të hartojë një raport vjetor (krahasim plan-fakt) mbi zbatimin e Programit Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit, drejtuar ministrit përgjegjës për mjedisin, ku të evidentohen në çdo rast jo vetëm aktiviteti monitorues i kryer, por edhe ai i pakryer në raport me sa përcaktuar në Programin Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit. Brenda 3-mujorit të parë të 2026 dhe në vijimësi

3.1. Rekomandimi: Agjencia Kombëtare e Mjedisit të marrë masat për kryerjen/ sigurimin e kryerjes së monitorimit të substancave prioritare, në mënyrë që të mundësohen të dhëna mbi praninë ose mospraninë e tyre në lumin e Lanës. Menjëherë dhe në vijimësi

4.1. Rekomandimi: Agjencia Kombëtare e Mjedisit të hartojë një relacion mbi buxhetin total të nevojshëm për zbatimin e Programin Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit dhe të kërkojë alokimin e fondeve të duhura nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Brenda vitit 2025

5.1. Rekomandimi: Agjencia Kombëtare e Mjedisit, në kuadër të planifikimeve buxhetore për vitin pasardhës, të kërkojë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit parashikimin e rritjes së gamës së analizave dhe standardeve laboratorike, me qëllim përmbushjen e detyrave ligjore për monitorim të plotë dhe cilësor të trupave ujorë sipërfaqësorë. Për vitin 2026 e në vijimësi. /CNA

KLSH zbulon mangësi në monitorimin e Lanës/ AKM kontrolloi

 





Lajmet e fundit nga