Aktualitet

Zjarri aktiv në malin e Manatisë, flakët u afrohen banesave!

Zjarri i rënë që prej mbrëmjes së djeshme në malin e Manatisë, pranë aksit të vjetër Lezhë-Milot, vijon aktiv. Era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve në terren, ndërsa forcat zjarrfikëse janë vendosur në pozicionet pranë banesave, për të parandaluar afrimin e zjarrit.

Ndërkohë, që prej orës 08:00 ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri me helikopter, në përpjekje për të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit.

Forcat në terren vijojnë operacionin për izolimin e flakëve, ndërsa situata mbetet nën monitorim për shkak të erës dhe terrenit të vështirë.

Vatra e zjarrit u shfaq mbrëmjen e djeshme në malin e Manatisë në Lezhë, në një zonë pranë rrugës nacionale Lezhë-Milot.

Nga përhapja me shpejtësi e flakëve të favorizuara nga era, situata paraqiti rrezik të drejtpërdrejtë për banesat që ndodheshin pranë kësaj vatre.