Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, priti në Kryesinë e Kuvendit, Ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt. Peleshi i uroi Ambasadorit Wendt mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e tij, duke shprehur vlerësimin për marrëdhëniet e veçanta të miqësisë dhe partneritetin strategjik që lidh Shqipërinë dhe Shtetet e Bashkuara.
Peleshi gjatë takimit theksoi rëndësinë e rolit të Kuvendit të Shqipërisë në thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe në avancimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik Shqipëri-SHBA.
Edhe Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka reaguar pas takimit të zhvilluar mes ambasadorit Eric Wendt dhe kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare në rrjetet sociale, Ambasada e SHBA-së në Tiranë shkruan se forca e çdo demokracie mbështetet në institucione përfaqësuese efektive.
Po ashtu, në njoftimin e Ambasadës thuhet se në takimin me Peleshin, ambasadori Wendt theksoi rëndësinë e përmbushjes së angazhimeve të NATO-s, nxitjen e investimeve për mirëqenien e përbashkët dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
"Forca e çdo demokracie mbështetet në institucione përfaqësuese efektive. Në takimin e tij të parë me Kryetarin e Kuvendit Niko Peleshi, Ambasadori Eric Wendt theksoi rëndësinë e përmbushjes së angazhimeve në NATO, nxitjes së investimeve për mirëqenien e përbashkët dhe forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve", thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.
Eric Wendt dorëzoi letrat kredenciale të shtunën tek Presidenti Bajram Begaj, ndërsa në nisje të punës së tij zhvilloi fillimisht një takim me kryeministrin Edi Rama dhe më pas me shefin e diplomacisë, Ferit Hoxha.








Komente
Komento