Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, priti në Kryesinë e Kuvendit ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt.
Peleshi i uroi ambasadorit mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e tij, duke shprehur vlerësimin për marrëdhëniet e veçanta të miqësisë dhe partneritetin strategjik që lidh Shqipërinë me Shtetet e Bashkuara.
Gjatë takimit, kryetari i Kuvendit theksoi gjithashtu rëndësinë e rolit të Kuvendit të Shqipërisë në thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe në avancimin e partneritetit strategjik Shqipëri-SHBA.
Ambasadori Eric Wendt dorëzoi letrat kredenciale të shtunën te Presidenti Bajram Begaj. Në nisje të detyrës së tij në Shqipëri, Wendt zhvilloi fillimisht një takim me kryeministrin Edi Rama dhe më pas me shefin e diplomacisë, Ferit Hoxha.
