Këngëtari fierak Erind Xhaferi është arrestuar në flagrancë nga Policia e Fierit, pas një informacioni të marrë në rrugë operative, lidhur me një rast të dyshuar për përndjekjen dhe kryerjen e veprimeve të turpshme ndaj vajzave të mitura.
Sipas informacioneve paraprake, dyshimet ndaj Xhaferit lidhen me përndjekjen e disa vajzave të mitura, të cilat dyshohet se kanë qenë nën vëzhgim dhe janë ndjekur në mënyrë të përsëritur.
Mësohet se informacioni ka mbërritur në sallën operative të Policisë përmes një telefonate të bërë nga vajzat, duke vënë në lëvizje shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier.
Pas marrjes së njoftimit, efektivët kanë kryer verifikimet në terren dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për dokumentimin e rastit.
Në vijim, policia ka bërë të mundur ndalimin në flagrancë të të dyshuarit, i cili është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku janë kryer veprimet procedurale.
Sipas të dhënave paraprake, ndaj tij dyshohet për veprën penale të parashikuar nga neni 108 i Kodit Penal, “Vepra të turpshme”, dispozitë që lidhet me veprime seksuale të turpshme ndaj të miturve.
Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.












