Sulmi në kabinën e avionit, piloti indian tregon momentet dramatike, tregon si ndodhi ngjarja

Bota

Sulmi në kabinën e avionit, piloti indian tregon momentet dramatike,
Piloti indian Smit Machchhar ka treguar momentet dramatike gjatë fluturimit të kompanisë Flydubai nga Dubai drejt Tel Avivit, ku njëri prej pilotëve sulmoi tjetrin dhe avioni nisi të humbiste me shpejtësi lartësi.

Në një video-telefonatë me kryeministrin indian Narendra Modi, kapiteni Machchhar rrëfeu se ishte shtrirë në dyshemenë e kabinës dhe po përballej ende me sulmin e bashkëpilotit, kur kuptoi se avioni po zbriste me shpejtësi dhe se duhej të ndërhynte menjëherë.

“Isha shtrirë në dysheme, i plagosur, por i thashë vetes të bëja edhe një përpjekje të fundit për ta hapur derën nga brenda”, tregoi piloti.

 Pasi arriti të hapte derën e kabinës, pasagjerë dhe pjesëtarë të ekuipazhit hynë brenda dhe ndihmuan në neutralizimin e personit që po shkaktonte incidentin.

 “Edhe të tjerët hynë dhe luajtën rolin e tyre në kontrollin e situatës. Sigurisht që po luftoja për jetën time, por në të njëjtën kohë e dija se nuk do t’i lejoja të tjerët të vdisnin”, tha Machchhar.

Avioni, i cili po fluturonte drejt Tel Avivit nga Dubai, u detyrua të devijonte drejt Arabisë Saudite pasi situata në bord doli jashtë kontrollit. Rreth dy orë pas nisjes, avioni humbi më shumë se 17 mijë kilometra, ose rreth 5.200 metra lartësi, përpara se pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit të arrinin të mposhtnin agresorin dhe të rimerrnin kontrollin e situatës.

Avioni u ul i sigurt në Arabinë Saudite, ndërsa Machchhar u dërgua fillimisht në një spital në Tabuk, në veriperëndim të vendit. Më pas ai u transportua me avion drejt Abu Dhabit, ku raportohet se ndodhet në gjendje të qëndrueshme.

Ambasada indiane në Emiratet e Bashkuara Arabe deklaroi të enjten se piloti “është në gjendje të mirë shëndetësore dhe po rikuperohet mirë”. Ambasadori indian Deepak Mittal tha se ishte krenar për guximin e tij dhe se ishte i qetësuar pasi e takoi.

Edhe kryeministri indian Narendra Modi e vlerësoi publikisht veprimin e pilotit, duke deklaruar se guximi, durimi dhe vendimmarrja e shpejtë e tij ndihmuan në shpëtimin e jetëve të shumë pasagjerëve. Për guximin e tij ka reaguar edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili e ka cilësuar Machchhar si një “hero të vërtetë”.

ME TE LEXUARAT