Humbja e pësuar në zgjedhjet e fundit parlamentare nga drejtuesi politik i Patisë Demokratike për Qarkun e Fierit, Gazmend Bardhi, duket se nuk ka shuar ende memorien dhe faturimi i këtij “dështimi” do ta shoqërojë thuajse gjithmonë në karrierën e tij.
Në një përplasje të zhvilluar ditën e djeshme në televizionin “Neës 24” midis gazetares së mirënjohur Klodiana Lala dhe deputetit të PD, Gazment Bardhi, teksa në fokus të diskutimit ishin hetimet e SPAK dhe akuzat e opozitës ndaj mazhorancës, ka sjellë sërish vëmendjen te humbja e opozitës.
Gazetarja Klodiana Lala e lidhi qëndrimin e ashpër të Bardhit ndaj Belinda Ballukut me rezultatin e zgjedhjeve të vitit të kaluar në qarkun e Fierit, ku deputeti demokrat mbante rolin e drejtuesit politik të PD-së.
“Ju jeni në një përplasje me Belinda Ballukun, sepse ju ‘zhveshi’ në Fier, ju la me gjysmë mandati”, deklaroi Lala. Ajo solli në vëmendje rezultatin e demokratëve në Fier, ku PD siguroi katër mandate deputetësh, duke argumentuar se pikërisht rezultati elektoral qëndron në sfondin e përplasjes së fortë politike mes Bardhit dhe Ballukut.


