Botë e Çuditshme Lifestyle

Pse ju vjen dëshira t’i shtrëngoni fort macet dhe qentë e lezetshëm? Ja shpjegimi psikologjik!

Nëse një këlysh apo kotele e vogël ju duket aq e lezetshme sa ju lind dëshira ta shtrëngoni, puthni pa pushim apo edhe ta “hani” me përkëdheli, nuk jeni vetëm. Ekspertët thonë se kjo është një reagim i njohur psikologjik i quajtur “agresioni i lezetshëm” (cute aggression).

Sipas American Kennel Club, fenomeni përshkruan dëshirën për të shtrënguar, kafshuar ose pickuar diçka shumë të bukur, pa pasur në të vërtetë dëshirë për ta lënduar. Studiuesit e lidhin këtë reagim me emocionet tepër të forta pozitive. Ai konsiderohet një lloj reagimi “dimorfik”, ku një emocion i fortë pozitiv shfaqet përmes një reagimi që në pamje të parë duket negativ.

Fenomeni mund të shfaqet kur shohim kafshë me tipare foshnjore, veçanërisht këlyshë dhe raca të vogla si pomeranianët apo chihuahuat Shtrëngimi i nofullave, dëshira për t’i puthur vazhdimisht apo për t’i përqafuar janë disa nga shenjat më të zakonshme.

Veterinerja Jo Myers thekson se “agresioni i lezetshëm” nuk është sëmundje apo çrregullim dhe nuk do të thotë se një person është i rrezikshëm për kafshët. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se njerëzit nuk duhet t’i shtrëngojnë kafshët sipas këtij impulsi. Qentë mund ta përjetojnë përqafimin si stresues. Prandaj, veçanërisht fëmijët duhet të mësohen të jenë të butë dhe të mos i përqafojnë, tërheqin bishtin apo shqetësojnë qentë.