“Kanë nisur bisedimet”, Kurti: Kjo fundjavë vendimtare për zgjedhjen e presidentit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha për mediat se kjo fundjavë është vendimtare për zgjedhejn e Presidentit të vendit.
Kurti bëri të ditur se tashmë ka nisur komunikimet me liderët e partive opozitare, në kuadër të përpjekjeve për të siguruar zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
“Kemi filluar komunikimet dhe natyrisht që kjo fundjavë është vendimtare për të pasur marrëveshje, që javën e ardhshme të kemi president”, tha Kurti.
Kurti i bëri këto komente të premten, gjatë Konferencës Ndërkombëtare për Fuqizimin e Grave.
Kosova duhet ta zgjedhë presidentin deri më 6 tetor. Nëse kjo nuk ndodh, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare, të cilat, sipas afatit kushtetues, duhet të mbahen jo më vonë se 15 nëntori.




