Video-t që tronditën rrjetin, deputetja Luarasi: Kush i publikoi dhe kush po fiton? Turpi nuk u përket grave

Deputetja e PS-së, Iris Luarasi ka reaguar për publikimin e video-ve intime, duke kërkuar që përgjegjësia të fokusohet te ata që i kanë filmuar, publikuar dhe shpërndarë. “Turpi nuk u përket grave. U përket atyre që cenojnë privatësinë e tyre dhe atyre që e ushqejnë këtë dhunë me ‘share’, klikime e tallje”, shprehet Luarasi. Ajo përshëndet hetimet e Policisë dhe Prokurorisë, si dhe reagimin e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Luarasi u bën thirrje grave të prekura të denoncojnë rastet, ndërsa thekson se edhe shpërndarja e videove apo komentet fyese e zgjasin dëmin. “Personat publikë nuk e humbin të drejtën për privatësi”, thekson ajo, duke kërkuar përgjegjësi për portalet, faqet dhe personat që publikojnë materiale intime për klikime dhe trafik.

Postimi i plotë

Një vend i tërë po sheh, shpërndan dhe tallet me materiale private që përfshijnë disa gra. Ndërsa ato anatemohen në çdo koment, pyetja më e rëndësishme lihet në hije se kush i filmoi, kush i publikoi dhe kush po fiton nga shpërndarja e tyre? Flitet për gratë kudo e flitet shumë pak ose aspak për burrat.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ajo që dy të rritur bëjnë me dëshirë në jetën e tyre private nuk është krim. Nëse dikush është filmuar pa dijeninë ose pëlqimin e tij, kjo duhet të hetohet. Po ashtu edhe publikimi e shpërndarja e pamjeve private. Turpi nuk u përket grave. U përket atyre që cenojnë privatësinë e tyre dhe atyre që e ushqejnë këtë dhunë me “share”, klikime e tallje.

Swiss Digital Mobile Reklama

Përshëndes hetimet e nisura nga Policia dhe Prokuroria, si edhe reagimin e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për ndalimin dhe heqjen e këtyre materialeve. Por drejtësia merr formë të plotë kur personat e prekur e denoncojnë rastin: kjo është rruga për të zbardhur si janë realizuar videot, kush i ka përdorur dhe kush i ka shpërndarë. Grave që sot gjenden në qendër të këtij linçimi u them se nuk jeni vetëm. Nuk keni pse të mbani turpin për cenimin që mund t’ju jetë bërë. Turpi u përket atyre që filmuan, publikuan, shpërndanë dhe atyre që e ushqejnë këtë dhunë me klikime, komente dhe tallje.

Edhe për ata që i shpërndajnë këto video: çdo “share”, çdo dërgim në një grup privat, çdo koment fyes apo tallës e zgjat dëmin. Nuk jeni thjesht spektatorë. Bëheni pjesë e dhunës ndaj një njeriu. Të qenit person publik nuk ia heq askujt të drejtën për privatësi; as nuk i jep publikut të drejtën të gjykojë, fyejë apo dënojë një grua për zgjedhjet e saj personale.

Ata që e paraqesin jetën intime të dikujt si “lajm” për klikime dhe fitim nuk po bëjnë gazetari. Gazetaria informon, verifikon dhe respekton dinjitetin e njeriut. Shfrytëzimi i materialeve intime për trafik nuk është informim, por është ekspozim, poshtërim dhe dhunë. Duhet përgjegjësi e qartë për çdo portal, faqe apo person që jeton nga linçimi i jetëve njerëzore. Mos harroni më të rëndësishmen se këto gra kanë fëmijë, nëna, prindër, familje, miq dhe jetë përtej ekranit. Pasojat e këtij turpërimi publik mund të jenë të rënda, të thella dhe të pakthyeshme.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?