Kryeministri Edi Rama ka komentuar arrestimet e zyrtarëve të lartë të emëruar nga ai, protestat kundër qeverisë, projektet e Jared Kushnerit dhe perspektivën europiane të Shqipërisë.
Në një intervistë për Welt am Sonntag, Rama deklaroi se Shqipëria ka kaluar nga një vend ku “korrupsioni ishte sistemi” në një vend ku “sistemi lufton kundër korrupsionit”.
Deklarata vjen në një kohë kur SPAK ka ndërmarrë hetime dhe procedime ndaj zyrtarëve të lartë dhe ish-zyrtarëve, përfshirë persona të lidhur me mazhorancën qeverisëse.
I pyetur nëse këto zhvillime ngrenë përgjegjësi politike për kryeministrin, Rama tha se pikërisht fakti që zyrtarët po përballen me drejtësinë përbën, sipas tij, përgjegjësinë e tij politike.
Megjithatë, Rama nuk harroi të sulmoi drejtësinë teksa tha se disa prej procedurave të drejtësisë, sipas tij, nuk janë në përputhje me standardet europiane dhe theksoi nivelin e lartë të paraburgimeve në Shqipëri.
Rama mbron projektet e Kushnerit
Rama hodhi poshtë akuzat se projekti lidhet me interesa personale apo politike dhe theksoi se ende nuk ka një kontratë përfundimtare, ndërsa vlerësimi i ndikimit në mjedis është ende në proces.
Sipas tij, bëhet fjalë për dy projekte të ndryshme, njëri në një ishull publik dhe tjetri në një gadishull privat.
Kryeministri i cilësoi një pjesë të kritikave ndaj projektit si të bazuara në “gënjeshtra dhe teori konspirative”, ndërsa deklaroi se Shqipëria nuk po “shitet” për shkak të investimeve të huaja.
Protestuesit, ndërkohë, kanë kundërshtuar projektet dhe kanë ngritur pikëpyetje mbi ndikimin në territor, mjedis dhe interesin publik.
“BE-ja duhet të heqë veton”
Në intervistë, Rama përsëriti kritikat ndaj mënyrës se si funksionon Bashkimi Europian dhe kërkoi heqjen e të drejtës së vetos.
Sipas tij, është absurde që një shtet i vetëm anëtar të ketë mundësinë të bllokojë vendimmarrjen e të gjithë BE-së.
Rama kërkoi gjithashtu përshpejtimin e procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe tha se premtimet për anëtarësimin e Ukrainës përmes rrugës së zakonshme janë “një gënjeshtër”.
Rama e krahasoi BE-në me një “Titanik” që po shkon drejt ajsbergut, duke iu referuar problemeve të konkurrueshmërisë dhe vendimmarrjes.
Megjithatë, ai e cilësoi Bashkimin Europian si “projektin politik më vizionar” dhe tha se shqiptarët duan anëtarësimin sa më shpejt.
Në të njëjtën kohë, ai kërkoi që Europa të ketë më shumë guxim dhe të ndryshojë mënyrën e zgjerimit.
Rama: “E admiroj Kinën”
Në lidhje me Kinën, kryeministri u shpreh se e “admiron” vendin për punën dhe meritokracinë, ndërsa e cilësoi Rusinë një “kërcënim real”.
Rama tha se Kina nuk ka, sipas tij, një axhendë perandorake dhe se Europa nuk duhet të izolohet, por të jetë në gjendje të ketë marrëdhënie me të gjithë.
Për Turqinë, kryeministri deklaroi se nuk sheh rrezik për Ballkanin Perëndimor dhe e përshkroi rolin e saj si një ndërhyrje “vëllazërore” për stabilitet dhe paqe.














