Enno Bozdo ka denoncuar sot për mediat projektligjin e qeverisë për krijimin e rezervës së sigurisë së karburanteve, duke kundërshtuar mënyrën e financimit dhe procedurat e parashikuara për blerjen e naftës.
Ai deklaroi se krijimi i rezervës është detyrim i Shqipërisë ndaj Bashkimit Evropian, por financimi i saj nga qytetarët është zgjedhje e qeverisë. Bozdo akuzoi gjithashtu kryeministrin Rama për deklarata të pavërteta lidhur me ekzistencën e rezervave të naftës në vend.
Në përfundim, Bozdo ngriti shqetësimin për mënyrën e menaxhimit të rezervës dhe kostot që, sipas tij, do të përballohen nga qytetarët.
DEKLARATAPërshëndetje,
Qeveria ka depozituar në Kuvend projektligjin për Rezervën Strategjike të Naftës, projektligj i cili merr një rëndësi të veçantë për shkak të situatës gjeopolitike në botë, nevojës për sigurinë energjetike si komponent thelbësor i sigurisë kombëtare, si dhe çmimit shumë të lartë të naftës dhe karburanteve në Shqipëri.
Shqiptarët kanë tashmë vite që furnizohen me naftë shumë të shtrenjtë, ndër më të shtrenjtat në Evropë dhe në botë. E, nëse marrim parasysh fuqinë blerëse të konsumatorit shqiptar, çmimi i naftës tek ne është më i larti në Evropë dhe ndër më të lartët në botë.
Kjo vjen sepse qeveria shqiptare ka zgjedhur ta taksojë rëndë naftën. Praktikisht, sot rreth 55% e çmimit të naftës përbëhet nga taksat dhe tarifat që qeveria fut në xhep. Ky nivel taksimi është 20% më i lartë se në vendet e BE-së dhe rreth 70% më i lartë se në vendet e Rajonit.
Gjithsesi, ky projektligj është detyrim i Shqipërisë ndaj Bashkimit Evropian. Sepse Shqipëria ka detyrimin, ashtu si çdo vend i Bashkimit Evropian, të ketë një rezervë karburantesh të gatshme për të përmbushur nevojat bazike të ekonomisë dhe popullatës në situata emergjence, lufte apo krizash botërore.
Por sot Shqipëria praktikisht është i vetmi vend në Evropë që nuk ka një rezervë të tillë dhe as institucion përgjegjës për të. Të gjitha deklaratat e mëparshme të Kryeministrit Rama dhe ministrit të tij të Energjisë se Shqipëria ka rezervë sigurie të karburanteve janë të pavërteta dhe tentojnë të fshehin gjendjen shumë të rëndë të situatës në këtë sektor kaq të rëndësishëm për sigurinë kombëtare dhe detyrimet tona ndaj BE-së.
Por të kthehemi tek thelbi i çështjes: në projektligjin e paraqitur nga qeveria, që synon ngritjen e rezervës së sigurisë së karburanteve, barrën e financimit do ta mbajë përsëri konsumatori. Pra, rezerva do të krijohet, ajo do të kërkojë nga 300 deri në 350 milionë euro dhe barra për këtë do të bjerë përsëri tek shqiptarët!
Dhe kjo zgjedhje nuk është detyrim që vjen nga Direktiva e BE-së. Aspak! Kjo është një zgjedhje me vullnet të plotë e qeverisë shqiptare. Sikur të mos mjaftonte fakti se paguajmë naftën dhe karburantin më të shtrenjtë në Evropë dhe ndër më të shtrenjtët në botë, qeveria ka zgjedhur të na taksojë përsëri dhe, me lekët tona, të ndërtojë atë që e ka detyrim të vetin dhe për të cilin mbledh shumë më tepër taksa nga çfarë i takon.
Por ka edhe më: për të gjitha procedurat e blerjes së karburantit, qeveria ka zgjedhur t’i bëjë të drejtpërdrejta, në shmangie të qëllimtë të ligjit për Prokurimin Publik. Pra, ndërtimi i një rezerve nafte, që do të kushtojë nga 300 deri në 350 milionë euro, do të bëhet me lidhje të drejtpërdrejta të kontratave. Qartazi, ky model, që është shkelje ligjore dhe kundër interesit publik, është zgjedhje e drejtpërdrejtë e qeverisë shqiptare, e Edi Ramës mbi të gjitha.
Dhe nuk mbaron këtu: projektligji parashikon që kompania e cila do të menaxhojë këtë rezervë, me vlerë rreth 350 milionë euro, në rast krize të jetë private. Një llokmë e majme për këdo që Rama ka parashikuar ta marrë!
Ja pra ku jemi, në përsëritje, për të disatën herë, të skemës së KAYO-s dhe të gjithë aferave të tjera grabitëse të kësaj qeverie: taksat që rëndojnë mbi shqiptarët, shmangia e plotë nga gara dhe rregullat e prokurimit publik dhe, pastaj, në emër të një operatori publik, gjendet gjithmonë një kompani private që menaxhon një llokmë të tregut, dhuruar në tepsi nga qeveria.
Të nderuar qytetarë,
Skandali i fundit i drejtueses së SHISH-it, e cila u gjend, jo dhe aq papritur, në shtratin e krimit të organizuar, sigurisht që është tronditës, në radhë të parë sepse SHISH, institucioni elitë i sigurisë kombëtare, në fakt ofron siguri ndaj krimit të organizuar.
Por koncepti i “sigurisë kombëtare” është mjaft më i gjerë se kaq. Edhe rezerva e karburantit, dmth. e energjisë së domosdoshme për ekonominë tonë në rast konflikti, krize apo ngjarjeje madhore, është një ndër shtyllat më të rëndësishme të sigurisë kombëtare.
Pikërisht këtë çështje, sot, nëpërmjet këtij projektligji, qeveria e trajton si aferë dhe kërkon ta kthejë në përfitim korruptiv.
Për këtë arsye, sot Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka dorëzuar në Kuvend amendimet për këtë projektligj, të cilat, ndër të tjera, kërkojnë që:
· Rezerva e sigurisë së naftës të financohet 100% nga buxheti i shtetit dhe asnjë taksë e re të mos mund të rëndojë mbi shqiptarët për këtë qëllim;
· Të gjitha procedurat të zhvillohen me garë dhe transparencë, sipas ligjeve në fuqi, sepse kemi të bëjmë me paratë e shqiptarëve dhe jo me para për t’ua dhuruar në tepsi klientëve të qeverisë;
· Operatori Publik, kompania e cila menaxhon furnizimin me naftë në rast krize, nuk mund të jetë private, siç e kërkon qeveria! Ajo do të jetë 100% shtetërore dhe nuk mund të privatizohet. Kështu do t’i mbyllim derën grabitjes së mëtejshme!
Mbi të gjitha, amendimet ligjore të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, të depozituara sot, synojnë të mos lejojnë një sektor tjetër strategjik, siç është ai i hidrokarbureve, të dalë jashtë kontrollit, siç po ndodh me sektorin e mbrojtjes me aferën KAYO, apo siç parashikohet të ndodhë me sektorin e shëndetësisë.
Këto amendime synojnë që çmimi i naftës, që është shumë i lartë, të mos njohë rritje të mëtejshme, sepse kështu do të dëmtohet ndoshta përfundimisht edhe ai prodhim vendas, bujqësor dhe industrial, që po tretet çdo vit e më tepër.
Qeveria e një vendi që synon BE-në nuk mund as të grabisë dhe as të varfërojë me skema të tilla qytetarët e vet. Qeveria dhe deputetët e maxhorancës, që flasin pa pushim për Shqipërinë në Evropë, do të kenë rastin ta provojnë me vepra dhe jo me fjalë, nëse vërtet janë për një Shqipëri evropiane apo jo!
Faleminderit.
© SYRI.net