“Nuk mund të lija kaq shumë njerëz të vdisnin”, kapiteni i Flydubai shpërthen në lot gjatë bisedës me kryeministrin Modi
Një vajzë 6-vjeçare dhe nëna e saj luajtën një rol të rëndësishëm në kaosin që shpërtheu në bordin e një avioni të kompanisë FlyDubai, gjatë fluturimit drejt Izraelit.
Nina Manes udhëtonte së bashku me nënën e saj Tali dhe babain Tzvika nga Dubai drejt Tel Avivit, kur situata në avion u përshkallëzua.
Në momentin kritik, Nina i kërkoi nënës së saj t’a shoqëronte në tualet. Pikërisht atëherë, sipas raportimeve, bashkëpiloti dyshohet se sulmoi kapitenin dhe e goditi me thikë, në përpjekje për të marrë kontrollin e avionit.
Nëna e vajzës dëgjoi zhurma të dyshimta që vinin nga kabina e pilotëve.
“E gjithë kabina ishte mbuluar me gjak dhe kishte një përleshje shumë të dhunshme”, rrëfeu ajo për televizionin izraelit Channel 12.
Ajo bërtiti duke kërkuar ndihmë dhe paralajmëroi pasagjerët se piloti po sulmohej. Ndërkohë, Tzvika dëgjoi britmat e fëmijëve të tij teksa avioni humbi lartësi dhe u nis me shpejtësi drejt kabinës.
“Vajzat bërtisnin: ‘Babi, nuk duam të vdesim’. Britmat e tyre më shtynë të vrapoja drejt kabinës”, tregoi ai.
Në përpjekjet për të neutralizuar situatën, disa pasagjerë ndërhynë dhe dyshohet se i lidhën bashkëpilotit duart pas shpine.
Një dentist që ndodhej në bord dhe që kishte trajtuar kapitenin pas sulmit, i dha atij oksigjen dhe ndihmoi në ndalimin e gjakderdhjes duke përdorur materiale të disponueshme në avion.
Kapiteni Smit Machchhar u raportua në gjendje të qëndrueshme pas incidentit dhe u vlerësua si një prej personave që ndihmuan në shpëtimin e avionit.
Autoritetet saudite arrestuan të dyshuarin, i cili raportohet të jetë shtetas i Omanit. Hetuesit po shqyrtojnë disa skenarë për motivin e sulmit dhe, sipas një zyrtari rajonal, nuk është përjashtuar asnjë pistë.
Hetimi përfshin autoritete nga Arabia Saudite, Izraeli, Emiratet e Bashkuara Arabe, SHBA-ja dhe Omani.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se i dyshuari kishte kaluar nëpër indoktrinim islamist, ndërsa autoritetet vazhdojnë të hetojnë rrethanat dhe motivin e ngjarjes.
Një nga pasagjerët që ndërhyri në incident, Asaf Rajuan, tha se pasagjerët ndiheshin të pafuqishëm në mes të ajrit, por reaguan instinktivisht për të mbijetuar.
Ngjarja po hetohet si një incident i rëndë sigurie në aviacion, ndërsa autoritetet po përpiqen të zbardhin plotësisht se çfarë ndodhi brenda kabinës së pilotëve dhe cili ishte motivi i të dyshuarit.
Top Channel