Detaje të reja janë bërë të ditura në lidhje me arrestimin e këngëtarit fierak Erind Xhaferi, i cili u vu në pranga nga Policia e Fierit pas një denoncimi për përndjekje të dyshuar të vajzave të mitura dhe kryerjen e veprimeve të turpshme ndaj tyre.
Sipas informacioneve, Xhaferi është proceduar edhe rreth dy vite më parë, pas një denoncimi për një rast të dyshuar të ngacmimit seksual. Në atë kohë, ndaj tij nuk u vendos masa e arrestit, ndërsa çështja u hetua duke e lënë personin në fjalë në gjendje të lirë.
Sipas burimeve nga Komisariati i Policisë Fier, kallëzimi është bërë nga një vajzë, e cila ka telefonuar sallën operative të Policisë. Pas marrjes së informacionit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë kryer verifikimet në terren dhe kanë organizuar veprimet operacionale për dokumentimin e rastit.

