Rreth 400 shkolla në Francë pritet qëndruan të mbyllura të premten, pasi protestat e nxënësve lidhur me pakënaqësitë në sistemin arsimor degjeneruan në dhunë në disa zona. Protestat kundër mungesës së mësuesve dhe gjendjes së rënduar të ndërtesave shkollore nisën në rajonin e Parisit muajin e kaluar, por janë bërë gjithnjë e më të dhunshme ndërsa janë përhapur në të gjithë vendin, duke lënë dhjetëra të plagosur dhe duke çuar në qindra arrestime nga policia. "Ka një pakicë aktive dhe të dhunshme që merr pjesë në protesta. Nuk jemi plotësisht të sigurt nëse ata janë vërtet nxënës të shkollave të mesme," tha të premten Ministri i Drejtësisë, Gerald Darmanin, duke shtuar se 2,000 persona janë arrestuar që nga fillimi i protestave, dhe rreth dy të tretat e tyre janë mbajtur në paraburgim. "Kemi kaluar nga demonstratat e nxënësve të shkollave të mesme te cenimi i rendit publik. Kur njerëzit sulmojnë autobusët dhe u vënë zjarrin shkollave, kjo nuk është më thjesht çështje proteste," tha ai. Ndërkohë, ministri francez i arsimit Edouard Geffray, tha më herët se "pak më shumë se 400 shkolla dhe institucione të tjera arsimore" do të qëndronin të mbyllura të premten.