Adi Hila merret në pyetje nga Krimi Kibernetik, policia shkon në studion e kompozitorit

Kompozitori Adi Hila është marrë në pyetje për disa orë nga ekspertët e Krimit Kibernetik në Policinë e Tiranës, lidhur me filmimet e fshehta në studion e tij. Pas marrjes në pyetje, ai është lënë i lirë.
Sipas burimeve, gjatë mbrëmjes së kaluar efektivët kanë kryer edhe këqyrjen e studios ku dyshohet se janë realizuar filmimet me artiste. Nga verifikimi i ambientit, kamera dyshohet se është e dallueshme vetëm nëse vëzhgohet me kujdes.
Deri në këtë fazë, mësohet se nuk janë sekuestruar materiale për t’iu nënshtruar ekspertimit. Hetimi paraqitet kompleks për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar nga momenti kur dyshohet se janë realizuar filmimet.
Gjatë marrjes në pyetje, Hila raportohet se ka qenë i tronditur. Sipas burimeve, dëshmia e tij është përqendruar kryesisht te dyshimet se sistemi i kamerave mund të jetë hakuar.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar mënyrën se si janë realizuar filmimet, nëse pajisjet kanë qenë të kontrolluara nga persona të tjerë dhe nëse materialet janë ruajtur apo shpërndarë më pas. Deri në përfundimin e verifikimeve, mbeten për t’u sqaruar rrethanat e plota të rastit.
/vizionplus.tv




