Bota

Automjeti përfundon me shpejtësi në faltore dhe përplas besimtarët/VIDEO!

Një makinë elektrike është përplasur me një faltore Guanyin në lagjen kineze të Bangkokut, duke lënë të plagosur tre persona. Ngjarja ndodhi mesditën e kësaj të enjte, rreth orës 13:13, në rrugën Yaowarat, në zonën Samphanthawong të kryeqytetit tajlandez. Mediat e huaja raportojnë se automjeti doli nga rruga dhe përfundoi brenda hapësirës së faltores që i përket Fondacionit Tian Fa. Tre persona që ndodheshin në zonën e shenjtë mbetën të bllokuar nën automjet dhe u nxorën nga ekipet e shpëtimit.

Njëri prej të plagosurve raportohet në gjendje të rëndë, ndërsa të tre u transportuan në spital për trajtim mjekësor. Shoferi, një burrë i moshuar, dyshohet se pësoi një problem të papritur shëndetësor dhe humbi ndjenjat në momentin kur ishte në drejtimin e automjetit. Dyshohet se një problem me tensionin e gjakut mund të ketë ndikuar në ngjarje.

Përplasja shkaktoi dëme në pjesën e poshtme të strukturës së faltores, ndërsa statuja e Guanyin raportohet se nuk pësoi dëmtime. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të aksidentit, ndërsa zona u bllokua për kryerjen e veprimeve hetimore dhe largimin e automjetit.