Zjarri në Peqin djeg 25 hektarë sipërfaqe, kryebashkiaku: Fatmirësisht nuk kemi dëme në banesa dhe gjedhë

Ka filluar ndërhyrja nga ajri në fshatin Galush të bashkisë së Peqinit për të vendosur nën kontroll situatën.
Vatra e cila nisi pasditen e djeshme ka përparuar gjatë natës duke e çuar sipërfaqen e djegur në 25 ha.
Sipas kryetarit të bashkisë së Peqint Bukurosh Maçi ndihma nga ajri pritet të përmirësojë situatën edhe pse era e fortë e vështirëson. Maçi thotë se nuk ka banesa të djegura as gjedhë. Ka vetëm pemë frutore dhe bimësi të djegura.
“Ka që dje që ka rënë një vatër zjarri. Ne jemi në terren dhe kemi marrë të gjitha masat. Është një zonë shumë e thellë dhe nuk kalohet me mjete. Shpresojmë të fiken sa më shpejt. Era ëshë e fortë dhe nuk ka pushuar, që e favorizon zjarrin. E rëndësishme është që nuk kemi dëme në njerëz, banesa dhe bagëti. Dëmet janë vetëm në ullinj e arra”, tha kryebashkiaku i Peqinit.




