Debate me tone të larta te "Ligjet", Korreshi përplaset me Manjan për territorialen, ja çfarë ndodhi

Debate me tone të larta janë zhvilluar në Komisionin e Ligjeve gjatë diskutimit të reformës administrativo-territoriale.
Deputetët e opozitës, Saimir Korreshi dhe Gent Strazimiri, kërkuan që Komisioni të marrë në shqyrtim të gjitha qëndrimet e përcjella nga pushteti vendor, si dhe të administrojë edhe nismën e opozitës përpara se të përfundojë shqyrtimi i projektligjit.
Korreshi kritikoi mënyrën se si, sipas tij, është proceduar me nismën e mazhorancës, duke ironizuar me shprehjen “pilafi” kohën e shkurtër të shqyrtimit të saj.
“Ka Shqipëria pa fund probleme. Këto të bashkive kanë një problem, i janë drejtuar Kuvendit, jo Maznikut. I janë drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. […] Po shkresat e mëparshme. Këta të reformës territoriale nuk dinë gjë, edhe ne të ligjit po në gjumë”, tha Korreshi.
Ai kërkoi që qëndrimet e bashkive të merren në konsideratë nga Komisioni, duke ngritur pikëpyetje edhe për afatet e ndryshme të trajtimit të nismave.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, iu përgjigj duke deklaruar se edhe nisma e opozitës është përcjellë te bashkitë sipas së njëjtës procedurë.
“Sekretari i Përgjithshëm më ka bërë me dije se është nisur nisma juaj njësoj si e jona të gjitha Bashkive. Me të njëjtën procedurë, siç e keni kërkuar ju. Keni depozituar një projektligj dhe i keni kërkuar Kuvendit t’ua nisë të gjitha bashkive”, deklaroi Manja.
Përplasja vijoi me deputetin demokrat Gent Strazimiri, i cili kërkoi që shqyrtimi të mos mbyllet pa u administruar edhe nisma e opozitës dhe pa u dëgjuar qëndrimet e pushtetit vendor.
“Kushtetuta ta ka mbyllur gojën, të ka lidhur duar e këmbë me nenet. Ti duhet ta kishe mbyllur këtë mbledhje që herës që të thashë unë. Të janë shprehur me shkrim këshillet bashkiake që nuk e duan”, tha Strazimiri.
Manja iu përgjigj shkurt: “Mos e dëgjoni, e dëgjojmë ne”.
Strazimiri insistoi që të pritet edhe për nismat e opozitës dhe që të dy projektet të shqyrtohen së bashku.
“Duhet të prisni dhe të vijnë dhe nismat tona, të bëhen bashkë. Ju thoni me datë 8 kjo ka mbaruar. Je në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit”, u shpreh ai.
Në vijim, Strazimiri përmendi edhe numrin e bashkive që, sipas tij, kanë shprehur interes për çështjen, duke deklaruar se nga 15 bashki tashmë janë bërë 16, pas përfshirjes edhe të Bashkisë Krujë.


