Kompozitori Adi Hila është marrë në pyetje për disa orë nga ekspertët e Krimit Kibenetik në Policinë e Tiranës mbrëmjen e kaluar, ndërsa është lënë i lirë pasi blutë kanë bërë këqyrje të studios ku dyshohet se janë kryer filmimet me artistet.
Burime bëjnë me dije se nga këqyrja e ambientit, kamera është e dallueshme vetëm nëse shihet me vëmendje, ndërsa deri tani nuk janë sekuestruar materiale për ekspertim.
Hetimi është kompleks për shkak të kohës shumë të gjatë që ka kaluar kur janë filmuar materialet. Gjatë pyetjes, kompozitori ka qenë i tronditur dhe i gjithë rrëfimi është përqendruar te dyshimet për hakerim të sistemit të kamerave.
Në pyetje pritet të merret edhe Elton Tozaj, i cili ka marrë përsipër autorësinë e shpërndarjes së materialeve në rrjet.


