Socialistë e demokratë po zhvillojë me përplasje mbledhjen e sotme në Komisionin e Ligjeve në Kuvend, shkaku i të cilave është bërë Reforma Territoriale-Administrative. Ndërkohë nga ana tjetër, dhjetëra qytetarë nga Memaliaj janë rreshtuar para Kryesisë së Kuvendi duke kundërshtuar shkrirjen e bashkive.
Me pankarta në duar ku shkruhet “Shkrirje, shërbime, racizëm, braktisje”, “Memaliaj nuk është plaçkë territoriale”, qytetarët kundërshtojnë shkrirjen e bashkisë së tyre. I pranishëm në protestë është dhe kryebashkiaku Malaj i cili theksoi në fjalën e tij se bashkimin e Memaliajt me Tepelenën, do të sjellë shpopullim të vendit.
Ndërkohë, në mbledhjen që po zhvillohet mësohet se demokrati Arjan Ndoja ka kërkuar ndërprerjen e kësaj mbledhje për mosrespektim të saj nga ana e mazhorancës dhe Ulsi Manjës. Kjo për arsye se në mbledhjen e sotme nuk ishin ftuar qytetarë dhe kryebashkiakë të bashkive që preken nga ndryshimet, të cilët ndodhen të rreshtuar jashtë.
Po ashtu dhe bashkëkryetari i Reformës Territoriale, Luçiano Boçi theksoi se propozimi i PS është antikushtetues pasi nuk ka marrë asnjë mendim nga popullata që preket nga ndryshimet.
“Këtu jemi dhe mbledhjen e kaluar bëmë debat për procedurën që duhet ndjekur nga PD. Kryetari grupit tuaj shprehej se propozimi i PD do ndjekë të njëjtën rrugë sikurse propozimi që ndjek PS. Edhe ju jeni për ndjekjen e kësaj rruge. Pas miratimit të kësaj faze të parë, të bashkohen, të merret marrja e mendimit nga këshilli bashkiak nga bashkitë që preken dhe të nisim me procedurat parlamentare. Vetëm kështu respektohet kushtetuta dhe ligji për vetëqeverisjen vendore. Nisma juaj antikushtetuese. Duhet të vinte me mendimin e popullatës. Para se të depozitohet nisma. Tani që e depozituat e quani fakt të kryer”, theksoi Boçi.
Më tej, gjatë mbledhjes Korreshi akuzoi drejtuesin e komisionit se po i jep përparësi nismës së mazhorancës, ndërsa ironizoi edhe trajtimin e shkresave tw ardhura nga pushteti vendor. Ai kërkoi që të gjitha materialet e depozituara në Kuvend të administrohen nga Komisioni përpara se të merret një vendim përfundimtar.
“Kur i dërgojnë këto nisma Kuvendit, të paktën ti marrim ne. Gjithë kryetarët e bashkisë në rresht për një, se thotë zotëria me 9 apo 10 të tjerë. Datë 31 e sollën këta, këtu e vutë në lëvizje pilafin, apo ishte me lëng. Kur ne na thoni për dy javë, e jona duhet të flerë pas gjumit. Këtu nuk paska fjet gjumë, në bashkinë e Divjakës, tava në furrë. Jeni ju kuzhinier që gatuani më mirë. Pse nuk u bë brenda ditës edhe e jona. Apo kishte punë të tjera Niko?”, tha Korreshi.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, u përgjigj se duke theksuar se dhe nga ana e opozitës është përcjellë për konsultim te bashkitë, ndërsa shtoi se procedura e ndjekur nga Kuvendi ka qenë e njëjtë.
“Po më pyesni pse nuk e ka bërë për nismën tuaj. Nga Kuvendi i Shqipërisë, Sekretari i Përgjithshëm më ka bërë me dije se është nisur nisma juaj njësoj si e jona të gjitha Bashkive. Me të njëjtën procedurë, siç e keni kërkuar ju. Keni depozituar një projektligj dhe i keni kërkuar Kuvendit me ua nis të gjitha bashkive.
Në debat u përfshi edhe deputeti Gent Strazimiri, i cili e akuzoi Manjën se po vijon procedurën pa pritur administrimin e plotë të qëndrimeve të pushtetit vendor. Strazimiri kërkoi që të dyja nismat të shqyrtohen së bashku dhe ngriti pretendimin se po veprohet në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin.”, pohoi Manja.
