Bota

Incidenti me avionin Dubai-Tel Aviv, piloti indian rrëfen momentet dramatike!

Piloti indian Smit Machchhar ka rrëfyer momentet dramatike gjatë incidentit në avionin e kompanisë Flydubai që po udhëtonte drejt Izraelit, duke treguar se hapi derën e kabinës së pilotëve ndërsa ishte duke u sulmuar nga bashkëpiloti, në përpjekje për të ndalur uljen e shpejtë të avionit.

Gjatë një videotelefonate me kryeministrin indian Narendra Modi, kapiteni Machchhar tregoi se ndodhej në dysheme, i plagosur dhe ende nën sulm kur kuptoi se avioni po humbiste lartësi me shpejtësi dhe se duhej të vepronte menjëherë.

Po qëndroja i shtrirë në dysheme, i plagosur, por i thashë vetes se duhej të bëja edhe një përpjekje të fundit për ta hapur derën nga brenda, rrëfeu piloti. Sigurisht që po luftoja për jetën time, por në të njëjtën kohë e dija se nuk do t’i lija të tjerët të vdisnin.

Incidenti ndodhi në një fluturim nga Dubai drejt Tel Avivit. Sipas raportimeve, piloti u sulmua nga një tjetër koleg që ndodhej në bord, duke detyruar avionin të devijonte drejt Arabisë Saudite.

Kryeministri Narendra Modi e vlerësoi veprimin e kapitenit:

Guximi, durimi dhe vendimmarrja e shpejtë e tij shpëtuan jetën e shumë njerëzve. E gjithë India është krenare për ty.

Kapiteni Machchhar u vlerësua edhe nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili e cilësoi “hero të vërtetë”.

Fillimisht, piloti u çua në një spital në Tabuk, në veriperëndim të Arabisë Saudite. Më pas u transportua me avion drejt Abu Dhabit, ku raportohet se ndodhet në gjendje të qëndrueshme.

Autoritetet vijojnë të hetojnë rrethanat dhe pritet të publikohen detaje të tjera mbi sulmin ndaj pilotit e mënyrën si u arrit të vihej nën kontroll situata në avion.