Punonjësi i kualifikuar, sfida e turizmit, ekspertët: Të konsiderohet si profesionist që ndërton karrierën në këtë industri

Mungesa e stafit të kualifikuar vijon të jetë një nga problematikat kryesore të sektorit të turizmit në Pogradec.
Për përmirësimin e standardeve të shërbimit, eksperti i trajnimit të stafit, Fatjon Selimaj, së bashku me ekipin e tij, ka nisur një seri takimesh me operatorë turistikë në Pogradec, por edhe në fshatrat turistikë të bashkisë
Por krahas profesionalizimit të stafit, një tjetër debat që shoqëron prej kohësh sektorin e turizmit lidhet me pagat dhe ardhjen e punonjësve të huaj.
A paguhen më shumë të huajt në Shqipëri dhe a po zëvendësojnë ata punonjësit shqiptarë?
“Nuk është se një i huaj paguhet më shumë vetëm sepse është i huaj. Paguhet më shumë ai që ka eksperiencë më të madhe dhe një CV më të mirë, pavarësisht nëse është shqiptar apo i huaj. Të paktën për Tiranën, ku e njoh goxha mirë tregun, pagat janë pak a shumë të njëjta. Ajo që rëndon më shumë kompaninë janë kostot ekstra, si akomodimi dhe ushqimi”, thotë Selimaj.
Për Selimajn, zgjidhja e problemit të mungesës së stafit nuk lidhet vetëm me rritjen e pagave.
“Mendoj që prurja e stafit të huaj po krijon një konkurrencë të brendshme. Por avash-avash po konsolidohet ideja që ai person që dëshiron të jetë në industri dhe dëshiron të bëjë karrierë, pas disa vitesh me një karrierë të mirë paguhet shumë mirë. Nuk është çështja që të huajt po zëvendësojnë shqiptarët. Është një konkurrencë që po krijohet në treg dhe që duhet të na shtyjë të bëhemi më profesionistë”, thotë Selimaj.
Në Pogradec dhe zonat turistike të bashkisë kërkohet gjithnjë e më shumë një shërbim cilësor dhe profesional, ndërsa punonjësi i turizmit të mos shihet thjesht si një i punësuar sezonal, por si një profesionist që ndërton karrierën e tij në këtë industri.




