Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Eraldo Fizin, i akuzuar për dhunë në familje dhe shkaktim vetëvrasjeje ndaj ish-bashkëshortes së tij, Xhuana Nikollaj.
Sipas burimeve, Eraldo Fizi e ka pranuar që ka ushtruar dhunë vetëm një herë ndaj Xhuanës, një ditë para ngjarjes, para se e reja të konsumonte fostoksinë. “E kam rrahur vetëm njëherë, një ditë para ngjarjes dhe jo sistematikisht”.
Fizi ka shprehur pendesë për gjithçka ka ndodhur. Sa i takon masës së sigurisë, ai dhe avokati mbrojtës nuk kanë kërkesë për masë tjetër, duke pranuar masën arrest me burg.
Mësohet se gjatë marrjes në pyetje në polici, Eraldo Fizi ka deklaruar se Xhuana Nikollaj e ka dashur prej 7 vitesh dhe se ata ishin ndarë por ishin në tentativa për t’u bashkuar.
I gjithë konflikti mes tyre, sipas Fizit, ka ndodhur për një situatë xhelozie. Fizi ishte në kërkim prej më shumë se 6-muajsh, ndërsa u vetëdorëzua të mërkurën në Policinë e Lezhës së bashku me avokatin e tij dhe më pas u transferua drejt Tiranës.
Xhuana Nikollaj dhe Eraldo Fizi ishin martuar në vitin 2025, martesë e cila zgjati vetëm 3 muaj. 25-vjeçarja jetonte me motrat e saj në Tiranë pas ndarjes, ndërkohë më 9 mars ka patur një takim me Eraldo Fizin dhe mes tyre ka patur një përleshje. Një ditë më pas, më 10 mars, Xhuana Nikollaj konsumoi fostoksinë, duke i dhënë fund jetës.
Sipas hetimeve, rezultoi se në trupin e 25-vjeçares u konstatuan shenja dhune në kokë, fytyrë dhe njërin krah, ndërsa në banesë u gjend dhe një letër që i kishte lënë familjarëve.
Edhe familjarët e të resë, pas ngjarjes, deklaruan që ajo ishte dhunuar dhe përndjekur nga ish-bashkëshorti.


