Nga Çim Peka - 14:02, 02/10/2026
Një protestë mund ta godasë pushtetin në fillim dhe ta ndihmojë të mbijetojë në fund. Kthesa ndodh kur zemërimi mbetet, por presioni bie.
Protesta kundër sistemit pati një meritë të madhe: sfidoi imazhin e normalitetit që Rama ka ndërtuar për konsum ndërkombëtar. E zhvendosi vëmendjen nga fasada te përgjegjësia politike. Por një protestë nuk mund të jetojë pafund me suksesin e javëve të para.
Kur sheshi tkurret dhe pushteti vazhdon punën, Rama fiton atë që i duhet më shumë: kohë. Kohë për të administruar krizën, për ta shpërndarë përgjegjësinë dhe për të pritur që lodhja të bëjë punën e tij.
Këtu qëndron paradoksi: protestuesit mund të kërkojnë largimin e Ramës, ndërsa forma që ka marrë protesta mund t’ia lehtësojë qëndrimin. Jo për mungesë kuraje apo sakrifice. Për mungesë të një presioni që rritet.
Opozita politike nuk mund ta delegojë pafund betejën te një grup qytetarësh dhe ta quajë mbështetjen nga distanca strategji. Nëse beson se vendi përballet me një krizë të sistemit, duhet të marrë përgjegjësinë për përmasat e përballjes: organizim në gjithë vendin, pjesëmarrje masive, kërkesa të qarta dhe veprim të qëndrueshëm demokratik.
Asnjë zgjedhje në Amerikë nuk e mbush sheshin në Tiranë. Asnjë ndryshim ndërkombëtar nuk zëvendëson punën që opozita duhet të bëjë këtu.
Rama nuk largohet sepse kundërshtarët e tij kanë të drejtë. Presioni bëhet vendimtar kur qëndrimi në pushtet ka një kosto politike që rritet çdo ditë.
Detyra e opozitës është ta krijojë atë kosto. Përndryshe, sheshi proteston dhe Rama blen kohë.
© SYRI.net