POLITIKË /

Mes protestave, Reforma Territoriale drejt miratimit, PD e kundërshton: Të pyesim bashkitë, edhe Veliaj është kundër

Shkruar nga Versus

Mes protestave, Reforma Territoriale drejt miratimit, PD e kundërshton:

Në komisionin për Çështjet Ligjore u diskutuan sot gjetjet e konsultimit publik të bërë nga Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale. Pavarësisht protestave jashtë kuvendit, socialistët i qëndruan propozimit të tyre dhe kërkuan që të vijohet me miratimin e projektligjit për t’u votuar në Kuvend, ndërsa demokratët kërkuan që diskutimi të ndalej dhe të merreshin parasysh qëndrimet e bashkive, përfshirë edhe ai i Tiranës i bërë nga kryebashkiaku i arrestuar Erion Veliaj.

Oerd Bylykbashi: Kur Kuvendi i Shqipërisë ka dërguar atë pr.ligj për konsultim, ky proces nuk mund të vazhdojë. Është hartuar një kalendar që presupozonte një situatë tjetër. Në këto kushte, duhet që kjo të mos vazhdojë më tej. Duhet që të merret edhe pse është me vonesë. Duhet të presim kush është qëndrimi i bashkive në lidhje me pr.ligjin e ri. Këshillat bashkiakë të shprehen për atë. Vetëm atëherë Kuvendi do të jetë në gjendje të shqyrtojë si duhet dy nisma ligjore që janë në të njëjtën kohë për dy çështje, por me qëndrime të ndryshme: njëri që ta çojë pushtetin vendor te kryeministri që s’i ndahet shpirti nga kryetari i bashkisë dhe tjetri t’ia çojë qytetarëve. Tjetri centralizim, tjetri decentralizim. Meqë e kemi këtë mundësi, e ndalojmë procesin.

Jorida Tabaku: Mazniku, ju e dini që unë nuk kam shumë respekt për Veliajn, por duhet ta shikoni me prioritet letrën që i ka nisur Kuvendit që kryetari i bashkisë më të madhe në vend thotë që nuk është konsultuar popullsia e Tiranës.

Përkundër ankesave se projektligji i PD ishte dorëzuar me vonesë, Ulsi Manja tha se edhe pr/ligji i demokratëve të cilët propozonin 100 bashki në total, u ishte shpërndarë bashkive.

Ulsi Manja: Nga Kuvendi i Shqipërisë, Sekretari i Përgjithshëm më ka bërë me dije se është nisur nisma juaj njësoj si e jona të gjitha Bashkive. Me të njëjtën procedurë, siç e keni kërkuar ju. Keni depozituar një projektligj dhe i keni kërkuar Kuvendit me ua nis të gjitha bashkive.

PS ka propozuar që me Reformën e re Territoriale të ketë 46 bashki, 71 qytete dhe 387 njësi administrative. Pas miratimit nen për nen dhe në tërësi në komisionin e Ligjeve, pritet që projektligji të miratohet në Kuvend të hënën.

Banorët e 15 bashkive që pritet të shkrihen me reformën e re bënë disa protesta të përditshme për të shprehur kundërshtitë e tyre, por PS ka vijuar me të njëjtin qëndrim. Versus.al

Poll