Nufi pret ambasadorin amerikan Wendt: Shqipëria dhe SHBA, krah për krah për sigurinë dhe paqen

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka pritur sot në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Nufi ka ndarë detaje nga takimi, duke vënë theksin te bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe SHBA-së në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
“Ambasador Wendt, mirë se erdhët në Shqipëri!
Me Shtetet e Bashkuara, Shqipëria qëndron krah për krah – për lirinë, sigurinë dhe paqen.
SHBA janë partner i pazëvendësueshëm i Shqipërisë në mbrojtje dhe siguri, ndërsa vendi ynë i sjell këtij partneriteti një pozicion gjeografik me rëndësi, besueshmëri dhe vullnet të palëkundur për të bashkëpunuar.
Korridori VIII, Porto Romano, Baza Ajrore Kuçovë dhe kapacitetet tona për Mbështetjen e Vendit Pritës forcojnë arkitekturën dhe lëvizshmërinë e Aleancës në Evropën Juglindore.
Nga mbështetja për Ukrainën dhe prania në KFOR, tek shumë iniciativa shumëkombëshe, apo vendimi për pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza – Shqipëria dëshmon se është tashmë një aleate e besuar dhe e aftë të kontribuojë për sigurinë dhe paqen”, shkruan Nufi.


Takimi vjen në kuadër të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, me fokus te kontributi i Shqipërisë në kuadër të NATO-s dhe nismat ndërkombëtare për sigurinë dhe stabilitetin.




