Votimi elektronik në 3 ose 4 bashki të mëdha kërkon Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet e ardhshme vendore të të vitit 2027, që pritet të jenë në muajin maj.

KQZ ka nisur konsultimet me partitë politike, teksa në një shkresë të firmosur nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, KQZ u kërkon partive politike të shprehin qëndrimin e tyre.

Sipas dokumentit, KQZ po vlerëson aspektet teknike, logjistike dhe administrative të shtrirjes së sistemit elektronik. Institucioni vlerëson se aplikimi në 3 ose 4 bashki të mëdha do të përbënte një qasje të arsyeshme dhe proporcionale.

“Çdo vendimmarrje për zgjerimin e këtij procesi duhet të mbështetet në një qëndrim të qartë dhe të konsoliduar të partive politike”, thuhet në shkresën e KQZ-së.

Partive u kërkohe që, përpara se të japin qëndrimin zyrtar, të caktojnë përfaqësues për një takim konsultues në KQZ më 9 tetor 2026, në orën 11:30.

Në zgjedhjet vendore të majit 2023, votimi dhe numërimi elektronik u përdorën në 401 qendra votimi në bashkitë Elbasan, Kamëz dhe Vorë, duke përfshirë 310,846 zgjedhës të regjistruar dhe rreth 8 për qind të të gjitha qendrave të votimit në vend. KQZ përdori 828 pajisje elektronike, përfshirë 760 pajisje të reja të prokuruara për atë proces.

Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, sistemi u përdor në 75 qendra votimi me 51,505 zgjedhës të regjistruar – 31 qendra me 22,290 votues në Tiranë dhe 44 qendra me 29,215 votues në Vorë. Kjo përfaqësonte vetëm 1.4 për qind të elektoratit të regjistruar.