Pas kontrolleve të SPAK, në kuadër të hetimeve që lidhen me aferën KAYO, kanë reaguar deputetët e Partisë Demokratike, Klevis Balliu dhe Belind Këlliçi.
Balliu ka kërkuar që hetimi të shtrihet edhe te Edi Rama, duke e akuzuar kryeministrin si përgjegjësin kryesor të asaj që ai e cilëson si skemë të paligjshme.
“SPAK ka zbarkuar te shoku i Edi Ramës, Ron Yeffet, i cili, në bashkëpunim me qeverinë, po vjedh miliona euro nga qytetarët. Por SPAK duhet të fillojë të shkojë te shefi i këtyre aferave. SPAK duhet të kontrollojë banesën e shefit të Ron Yeffet, Edi Ramës. Sepse çështja nuk është të ndërrojmë një Ron Yeffet me një Ron Yeffet tjetër. Çështja është të shkojmë te përgjegjësi kryesor dhe të hetojmë deri në fund të gjithë skemën”, deklaroi Klevis Balliu.
Ndërsa deputeti, Belind Këlliçi, pretendoi se nga kontrollet, përfshirë sekuestrimin e kamerave të kompleksit rezidencial ku jeton Yeffet, mund të sigurohen prova lidhur me një takim të pretenduar mes kryeministrit Edi Rama dhe biznesmenit më 8 shtator.
Këlliçi tha se akuzat për trafik ndërkombëtar armësh janë shumë të rënda dhe kërkoi që hetimi të çojë në zbardhjen e përgjegjësive.
“E përshëndes hetimin që ka nisur ndaj Ron Yeffet dhe veprimet e para që sipas raportimeve në media janë kontrollet në banesë. Shpresoj se SPAK do bëjë një investigim të thellë e të shpejtë për mikun e Edi Ramës, që u prezantua vetë si koordinator i punëve të pisëta. Me siguri, në këto kontrolle (pasi mjafton sekuestrimi i kamerave të kompleksit rezidencial ku jeton Yeffet) hetuesit do të gjejnë dhe prova të takimit të Kryeministrit me Ron Yeffet me 8 shtator, pasi doli skandali i përgjimeve, ku vrasin mendjen se si do ta menaxhojnë këtë krizë. Akuza për trafik nďërkombëtar armësh është shumë e rëndë. Duhet ballafaqim me ligjin e drejtësinë dhe duhet të dalin përgjegjësitë të plota. Personalisht e kam denoncuar prej muajsh rastin dhe do ta ndjek deri në fund. Uroj që të njëjtën gjë të bëjë dhe drejtësia. Me trafikun ndërkombëtar të armëve, Edi Rama vulosi pa kthim, kapitullimin e tij ndërkombëtarisht”,- deklaroi Këlliçi.
LEXO EDHE:













