Lifestyle

Bibliotekat nuk po japin më vetëm libra/ Tani mund të marrësh hua një teleskop, një trapano apo edhe një printer 3D!

Për dekada, biblioteka kishte një funksion të qartë: hyje, zgjidhje një libër dhe e ktheje disa javë më vonë. Por modeli po ndryshon. Biblioteka të ndryshme po ndërtojnë atë që njihet si “Library of Things”, ku anëtarët mund të marrin hua objekte që normalisht do t’u duhej t’i blinin, nga veglat e punës dhe pajisjet teknologjike te teleskopët dhe pajisjet për aktivitete të ndryshme.

Hindustan Times e vendos sot në fokus këtë transformim, duke përmendur biblioteka ku krahas librave gjenden printerë 3D, trapano, teleskopë dhe pajisje të tjera. Parimi mbetet i njëjtë me atë të bibliotekës tradicionale: të kesh akses te diçka pa qenë e nevojshme ta zotërosh.

Dhe pikërisht kjo e bën modelin interesant në një periudhë kur shtëpitë mbushen me objekte që përdoren vetëm disa herë në vit. Një trapano mund të nevojitet për dhjetë minuta. Një teleskop mund të jetë diçka që një familje dëshiron ta provojë për një fundjavë. Një pajisje e kushtueshme nuk ka pse të blihet vetëm sepse nevojitet përkohësisht.

Biblioteka, në këtë mënyrë, po largohet nga ideja e një ambienti ku duhet vetëm të qëndrosh në heshtje. Ajo mund të bëhet një infrastrukturë e përbashkët e lagjes, një vend ku njerëzit marrin jo vetëm informacion, por edhe mjetet për të bërë diçka.

Ka edhe një ide më të madhe pas fenomenit. Nëse shumë njerëz mund të përdorin të njëjtin objekt, nevoja që çdo familje të blejë versionin e vet zvogëlohet. Është një model që kombinon kursimin, komunitetin dhe një mënyrë më pak të orientuar drejt konsumit.