Rriten rastet me kancer të gjirit, vitin e kaluar u regjistruan 829 raste të reja tek gratë dhe 19 tek meshkujt
Rastet me kancer gjiri vijojnë të shënojnë rritje vit pas viti. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, gjatë vitit 2025 në Shqipëri u regjistruan 829 raste të reja tek gratë, ndërsa 214 prej tyre humbën jetën. Gjithashtu, u konfirmuan edhe 19 raste me kancer gjiri tek meshkujt.
“Rastet e reja për vitin 2025 në Shqipëri përllogariten rreth 829 raste të reja tek femrat dhe shikojmë se incidenca është vazhdimisht në rritje nga një vit në një tjetër. Në Shqipëri kemi një ulje të vdekshmërisë. Po të krahasojmë me vitin 2021, niveli i vdekshmërisë është standardizuar. Ka një ulje nga 18 për 100 mijë gra në rreth 16 për 100 mijë gra. Dhe për vitin e kaluar llogariten rreth 214 vdekje.” tha Ediona Kola, specialiste pranë Institutit të Shëndetit Publik.
Rritja është më e theksuar tek grupmoshat mbi 50 vjeç, ndërsa tek më të rinjtë vihet re një tendencë në rënie.
“Shikojmë që rritja vihet re tek grupmoshat mbi 50 vjeç, ndërsa në përgjithësi kemi një rritje me 2.2% mesatarisht në vit, ndërkohë që tek grupmoshat më të reja, nën 50 vjeç, vihet re një ulje me 0.9% në vit mesatarisht. Sipas të dhënave, risku në këto grupmosha është më i ulët dhe grupmosha nën 50 vjeç shikohet që incidenca ka ardhur në rënie, ka ardhur në ulje nga përllogaritjet e bëra.”
Ediona Kola, specialiste pranë Institutit të Shëndetit Publik, thotë se depistimi për kancerin e gjirit nuk kufizohet vetëm në muajin tetor, por ofrohet gjatë gjithë vitit.
“Depistimi është i shtrirë gjatë gjithë vitit. Është i organizuar në të gjitha spitalet rajonale. Pra, kemi një shpërndarje uniforme të mamografive stacionare në të gjithë spitalet rajonale dhe në tre qendra në Tiranë, siç është Poliklinika Qendrore, Materniteti “Mbretëresha Geraldinë” dhe në QSUT. ISHP organizon edhe lëvizjet e dy mamografive lëvizëse, të cilat janë në shërbim gjatë gjithë vitit, por gjatë muajit tetor kemi një lëvizje më të intensifikuar. Duhet të drejtohen tek mjeku i familjes për të marrë më shumë informacion se cila është qendra ku mund të kryejnë më afër mamografinë, gjithashtu të informohen për datat e lëvizjes për makinat lëvizëse.”
Specialistët e lidhin rritjen e incidencës me disa faktorë, mes tyre moshimin e popullatës, ndryshimet në stilin e jetesës, por edhe rritjen e ndërgjegjësimit dhe përmirësimin e programeve të depistimit.
/vizionplus.tv




