Pas përfundimit 0:0 të ndeshjes me Izraelin në Debrecen, Kombëtarja e Kosovës është kthyer në Prishtinë dhe ka nisur punën për takimin e fundit të këtij grumbullimi, atë kundër Austrisë.
“Dardanët” mbërritën në Kosovë pas duelit të zhvilluar të enjten mbrëma, ku të dyja skuadrat u ndanë me nga një pikë.
Të lidhura
None found
Përfaqësuesja kosovare zhvilloi menjëherë seancën e radhës stërvitore. Përzgjedhësi Franco Foda e drejtoi stërvitjen e së premtes në Kampin Nacional të FFK-së, në Hajvali.
Në këtë seancë morën pjesë 14 futbollistë, ndërsa lojtarët që e nisën nga minuta e parë ndaj Izraelit nuk u stërvitën me pjesën tjetër të ekipit.
Federata e Futbollit të Kosovës bëri të ditur se titullarët e ndeshjes së zhvilluar në Debrecen kryen një program rigjenerues në palestrën e hotelit, për t’u rikuperuar pas angazhimit të tyre.
Me përfundimin e këtij procesi, vëmendja e ekipit kosovar tashmë është orientuar tërësisht te Austria.
Kosova do të përballet me Austrinë të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të një tjetër ndeshjeje të rëndësishme të Ligës së Kombeve.
