
Policia franceze u përplas me nxënës të shkollave të mesme në disa qytete të vendit, ndërsa protestat kundër kushteve në arsim dhe financimit të shkollave janë përshkallëzuar. Në Strasburg, rrugët u mbushën me gaz lotsjellës, ndërsa në Marsejë protestuesit hodhën fishekëzjarre drejt policisë. Në Rennes u dogjën kosha plehrash, dhe përleshje u regjistruan edhe në Paris. Ministri I arsimit Edouard Geffray tha për mediat se 65 pjesëtarë të stafit shkollor ishin plagosur përfshirë 40 drejtorë e rreth 100 shkolla ishin dëmtuar.
Protestat nisën në rajonin e Parisit javën e kaluar dhe janë përhapur në të gjithë Francën. Ministri i Drejtësisë, Gerald Darmanin, tha se rreth 2 mijë persona janë arrestuar që prej fillimit të protestave, shumica prej tyre adoleshentë. Ai deklaroi gjithashtu se prindërit duhet të paguajnë për dëmet e shkaktuara nga fëmijët e tyre.
Rreth 400 shkolla të mesme, ose afërsisht një në dhjetë, u mbyllën të premten për shkak të trazirave.
Nxënësit protestojnë kundër mbipopullimit në klasa, mungesës së mësuesve dhe gjendjes së amortizuar të godinave. Qeveria ka parashikuar një rritje prej vetëm 1.7 për qind të buxhetit të arsimit për vitin 2027, duke e çuar atë në 65.5 miliardë euro, pa përfshirë pensionet e mësuesve.
Ndërkohë, organizata Amnesty International ka kritikuar përdorimin e forcës nga policia ndaj të miturve, ndërsa Ministria e Brendshme ka hapur tre hetime për dhunë të dyshuar policore. (A2 Televizion)