Projektligji i ri/ Shteti “shtrëngon” kontrollin, rregulla të reja për materialet e ndërtimit në Shqipëri
Materialet e ndërtimit që hyjnë në Shqipëri dhe që përdoren masivisht në sektor, do të kalojnë një filtër më të fortë kontrolli.
Projektligji i hedhur për konsultim publik “Për tregtimin e produkteve të ndërtimit”, synon vendosjen e një sistemi kombëtar të unifikuar për vlerësimin, verifikimin dhe deklarimin e performancës dhe konformitetit të produkteve të ndërtimit, të ndërthurur me kërkesat e BE-së dhe të përshtatur me statusin e Shqipërisë si vend para-anëtarësimi.
Krijimin dhe funksionalizimin e strukturave përgjegjëse, përfshirë organet e miratuara, organin shqiptar të vlerësimit teknik dhe strukturat e mbikëqyrjes së tregut.
Projektligji synon gjithashtu rritjen e sigurisë në punimet e ndërtimit, duke vendosur standarde të qarta teknike për produktet me ndikim në cilësinë, sigurinë dhe qëndrueshmërinë e veprave ndërtimore.
Ndërsa objektiv është mbrojtja e konkurrueshmërisë së prodhuesve shqiptarë, duke u garantuar atyre kushte të barabarta me operatorët e BE-së dhe periudha tranzitore të arsyeshme për përshtatje.
Po ashtu synohet ndërtimi gradual i kapaciteteve institucionale dhe teknike, përfshirë sistemet elektronike të informacionit, në përputhje me transformimin digjital të parashikuar nga CPR 2024.
Sigurimin e një kuadri të qartë tranzitor, i cili lejon bashkëjetesën e instrumenteve të trashëguara nga CPR 305/2011 me kërkesat e reja të CPR 2024 deri më 9 janar 2040, duke reflektuar dispozitat e vetë rregullores së BE-së si dhe përgatitja e autoriteteve shqiptare për zbatimin e drejtpërdrejtë të CPR 2024 në ditën e anëtarësimit, duke shmangur konfliktet normative, boshllëqet administrative dhe pasigurinë e operatorëve ekonomikë.
Qëllimi kryesor i këtij projektligji është të garantojë që produktet e ndërtimit të vendosura në tregun shqiptar të jenë të sigurta; të kenë performancë të vërtetuar dhe të dokumentuar; të jenë të gjurmueshme dhe transparente; të jenë të kontrolluara dhe të mbikëqyrura nga autoritete kompetente; të jenë të përputhshme me kërkesat teknike të BE-së; të mund të përdoren dhe të certifikohen sipas standardeve evropiane.


