Botë e Çuditshme

Një ekspozitë po e trajton kawaii-n, lodrat dhe ngjyrën rozë si histori serioze të artit!

Çfarë kanë të përbashkët kafshët e vogla, lodrat e buta, glitter-i, objektet rozë dhe kultura japoneze kawaii? Në Louvre-Lens në Francë, ato po përdoren për të eksploruar një pyetje shumë më serioze: pse njerëzit tërhiqen kaq shumë nga gjërat që i konsiderojnë “cute”?

Ekspozita e re eksploron historinë e “cuteness” përmes artit dhe kulturës vizuale, duke e ndjekur idenë nga përfaqësimet historike deri te estetika bashkëkohore e lodrave, personazheve dhe kawaii-t. Edhe skenografia përdor rozën, format e buta dhe elemente immersive për ta futur vizitorin brenda vetë estetikës që ekspozita po analizon.

Interesant është fakti se “cute” për një kohë të gjatë është trajtuar si diçka jo serioze, komerciale, fëminore apo thjesht dekorative. Por ndikimi i saj është i madh. Personazhet cute shiten në miliarda produkte, krijojnë komunitete globale dhe kalojnë pa problem nga lodrat te moda, beauty, interior design dhe arti.

Kawaii është ndoshta shembulli më i qartë. Ajo që nisi si një estetikë e lidhur fort me kulturën japoneze është kthyer në një gjuhë vizuale globale. Sytë e mëdhenj, format e rrumbullakëta dhe ngjyrat pastel mund të kuptohen pothuajse menjëherë, pavarësisht vendit ku ndodhesh.

Duke e futur këtë fenomen në muze, ekspozita ngre edhe një pyetje interesante për kufirin mes artit “serioz” dhe kulturës popullore. Nëse një estetikë ndikon mënyrën se si blejmë, vishemi, dekorojmë dhe komunikojmë, ndoshta meriton të analizohet po aq sa çdo lëvizje tjetër vizuale.