
Deputeti socialist Erion Braçe ka komentuar incidentin e ndodhur këtë të premte pranë Kryesisë së Kuvendit, ku një grup protestuesish ishin mbledhur kundër propozimit për riorganizimin e ndarjes territoriale.
Braçe tha se, teksa po hynte në zyrën e tij, dëgjoi fyerje dhe akuza nga protestuesit, ndaj vendosi t'u afrohej për të dëgjuar kërkesat e tyre. Sipas deputetit, në atë moment, njëri prej protestuesve e qëlloi me ujë.
Ai tregoi se gjatë bisedës u përball edhe me një protestuese, me të cilën diskutoi për çështjen e Rrjollit, ndërsa shprehu habinë për praninë e personave që, sipas tij, ishin edhe mbështetës të Sali Berishës.
“Kam qenë duke hyrë në zyrën time në Kryesinë e Kuvendit. Kam dëgjuar fyerje, sharje, ofendime, ku termi hajdut ishte më i keqpërdoruri. Kam pyetur ata oficerët e Gardës se për çfarë ishin aty. Më thanë se ishin nga bashkia Memaliaj dhe kundërshtonin ndarjen e re territoriale. U drejtova me qëllimin që të dëgjoja se çfarë kishin”, deklaroi Braçe.
Deputeti socialist pretendoi se në atë moment njëri prej protestuesve e qëlloi me ujë.
“Në atë moment, njëri prej tyre qëlloi me ujë. Me atë gruan u sqaruam për dy probleme. Ajo ishte për Rrjollin, i kam thënë çfarë mendoj unë për Rrjollin dhe kaq”, u shpreh ai.
Braçe komentoi edhe praninë e personave të tjerë në protestë, duke përdorur tone të ashpra ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, të cilin e cilësoi si “këllira më e madhe e politikës në Shqipëri”.
Protesta u zhvillua pranë Kryesisë së Kuvendit, ndërsa në Komisionin e Ligjeve po diskutohej propozimi për ndryshimin e ndarjes territoriale, i cili parashikon shkrirjen e 15 bashkive./Versus.al

