Paradoksi i punës në Shqipëri/ Shumë mund, pak mirëqënie
Kur qeveria shqiptare trumbeton shifrat në rritje të punësimit dhe rënien historike të papunësisë, fasada duket e shkëlqyer. Megjithatë, sapo hyn në fuqi analiza e ftohtë e numrave dhe krahasimi rajonal, fasada fillon e kriset.
Të dhënat më të fundit nga raporti i Konvergjencës Ekonomike i OECD zbulojnë një realitet kokëfortë: Shqipëria është futur në një kurth strukturor ku punohet shumë, por prodhohet pak. Vendi mban zyrtarisht vendin e fundit në Ballkanin Perëndimor për produktivitetin e fuqisë së tij punëtore.
Produktiviteti i ulët i punës është një problem ekzistencial. Ai mat shkallën se si rritja e punësimit përkthehet në përmirësim të qëndrueshëm të standardeve të jetesës.
Sipas raportit, një orë pune në Shqipëri prodhon një vlerë ekonomike të barabartë me vetëm 17.6 USD në terma të fuqisë blerëse, çka përbën vetëm 25.6% të mesatares së Bashkimit Europian, ku e njëjta orë pune gjeneron 69 dollarë.
Ky është niveli më i ulët në të gjithë rajonin. Përballë saj, Maqedonia e Veriut udhëheq me një produktivitet prej 32.4 USD për orë pune (46.9% e mesatares së BE-së), e ndjekur nga të gjithë fqinjët e tjerë që pozicionohen dukshëm më lart.
Ajo që e bën këtë shifër edhe më shqetësuese është faktori kohë. Produktiviteti i punës në Shqipëri, ka më shumë se një dekadë në stanjacion. Rritja e punësimit në Shqipëri nuk po gjeneron mirëqenie reale, sepse vendi thjesht po shton vende pune me pagë të ulët që nuk prodhojnë pasuri të vërtetë.
Arsyet e këtij ngecjeje nuk janë mister. Modeli ekonomik i Shqipërisë vazhdon të mbështetet fort në aktivitete me vlerë të shtuar të pakët—si fasoneria, ndërtimi masiv apo shërbimet elementare të turizmit—dhe te krahu i lirë i punës, në vend që të konkurrojë përmes inovacionit.
Bizneset po tregohen tejet të ngadalta në adoptimin e teknologjive që rrisin efikasitetin, përfshirë inteligjencën artificiale. Për më tepër, ekziston një hendek i madh aftësish në tregun e punës; fuqia punëtore shpesh nuk zotëron kualifikimet e nevojshme për t’iu përgjigjur kërkesave të një ekonomie me teknologji të lartë.
Në analizë të fundit, grafikët e Brukselit ofrojnë një mësim të qartë për politikëbërësit në Tiranë. Nuk mjafton më të krenohesh me faktin që njerëzit kanë gjetur punë.
Pa një reformë të thellë në arsim, pa aftësim profesional të lidhur me tregun dhe pa stimuj që orientojnë kapitalin drejt industrive me vlerë të lartë, Shqipëria rrezikon të mbetet e mbërthyer në fund të tabelës.
Në garën e madhe drejt integrimit europian, vendi mund të jetë i zënë duke punuar, por vazhdon të ecë me hapin e breshkës.
©Shqip.com
