Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit lidhur me hetimet e SPAK për kompaninë shtetërore “KAYO”, ku sipas informacioneve të bëra publike janë ushtruar kontrolle në banesa dhe kompani, përfshirë edhe vilën e Ron Yeffet.
Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi akuzon mazhorancën se po shmang diskutimin në Kuvend për kërkesën e opozitës për ngritjen e një Komisioni Hetimor për verifikimin e veprimtarisë së “KAYO”.
Sipas tij, opozita e ka kërkuar prej më shumë se tre javësh ngritjen e këtij komisioni, ndërsa mazhoranca nuk ka dhënë dakordësinë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve më 17 shtator 2026.
Bardhi pretendon se, pas shqyrtimit në Konferencën e Kryetarëve, ligji parashikon që çështja të kalojë për diskutim në seancë plenare brenda 15 ditësh. Ai thotë se, me dakordësinë e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, ishte vendosur që kërkesa të shqyrtohej në seancën e 5 tetorit, ditën e fundit të afatit.
Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, mazhoranca tashmë po tenton ta shtyjë diskutimin, pikërisht në një moment kur SPAK ka nisur kontrolle në kuadër të hetimeve për “KAYO”.
“Është bërë publike se SPAK ka ushtruar kontrolle në banesa dhe kompani në kuadër të hetimeve penale lidhur me kompaninë ‘KAYO’ sh.a., dhe Kuvendi duhet t’i shmanget kësaj teme këtë të hënë. Kryetari i Kuvendit nuk duhet të jetë zbatues i vullneteve politike të mazhorancës, por garant i funksionimit të rregullt të institucionit që drejton”, shprehet Bardhi ndër të tjera, duke akuzuar Peleshin se po zbaton urdhra politikë të Taulant Ballës dhe Edi Ramës.













