
Në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, iu përgjigj pretendimeve të deputetëve të opozitës lidhur me procedurën e konsultimit të bashkive për riorganizimin territorial.
Mazniku tha se procedura është në përputhje me parashikimet e ligjit për qeverisjen vendore dhe se të gjitha bashkitë janë përfshirë në proces për shkak të ndryshimeve që ligji i ri parashikon edhe në organizimin e brendshëm të tyre.
Mazniku shpjegoi se ligji i ri nuk lidhet vetëm me ndryshimin e kufijve mes bashkive, por parashikon edhe një të drejtë të re për vetorganizimin e territorit brenda tyre.
“Procedura që ju shpjeguat, që pasi është bërë një propozim i mirëfilltë me një hartë të mirëfilltë, në atë moment lind dhe mundësia për bashkitë dhe këshillat e tyre të japin një opinion në raport me organizimin specifik. Dhe ky moment ka nisur në momentin që është propozuar një nismë në Kuvend. Kjo nismë u është çuar të gjitha bashkive, të cilat kanë pasur një afat 60-ditor për t’u përgjigjur. Neni 89 ngarkon propozuesit që t’i paraqesin Kuvendit mendimin e popullatës që banon në ato njësi që do të riorganizohen. I kemi dhënë mundësinë të gjitha bashkive, në raport me Kushtetutën, të shprehen dhe, së dyti, në përputhje me nenin 89, pika B, i paraqesim këtij komisioni mendimin e popullatës që banon në këto njësi që do të riorganizohen. Zoti Bylykbashi tha: pse i janë çuar edhe bashkive që nuk preken nga riorganizimi?
Ia kemi çuar të gjitha bashkive pasi ligji në vetvete, në dy pika të tij, së pari në konceptin bashki-qytet-njësi administrative, nga pikëvështrimi i organizimit të brendshëm i prek të gjitha bashkitë dhe, së dyti, nga e drejta e re që ky ligj propozon që bashkitë të kenë të drejtë të vetëorganizojnë territorin e tyre, është një element që prek organizimin e brendshëm të të gjitha bashkive, sepse ligji parashikon riorganizim me ndryshim kufijsh dhe parashikon riorganizim pa ndryshim kufijsh", theksoi Mazniku para komisionit.
Më pas ai ju drejtua bashkëkryetarit të kësaj reforme, deputetit të PD-së Luçiano Boçi, duke kundërshtuar argumentin e tij mbi mënyrën se si është zbatuar procedura.
“Zoti Boçi, flisni për gjëra që nuk i njihni dhe nuk i kuptoni. Neni 88 i ligjit, po ta kishit lexuar, thotë riorganizim pa ndryshim kufijsh. Nga riorganizimi pa ndryshim kufijsh, për të drejtën që u jep bashkive, preken të 61 bashkitë. Ligji i ri u jep një të drejtë që nuk e kishin deri më sot dhe për këtë arsye ua kemi çuar për opinion të gjitha bashkive.”
Në vijim të shpjegimit të tij, Mazniku iu referua edhe neneve 89 dhe 90 të ligjit për qeverisjen vendore, duke argumentuar se bashkitë dhe këshillat e tyre kanë të drejtë të shprehin qëndrimin e tyre zyrtar kur bëhet një propozim konkret për riorganizim.
Sipas tij, kjo fazë e procesit ka nisur pasi në Kuvend është paraqitur një nismë konkrete, së bashku me propozimin për riorganizimin, dhe të gjitha bashkive iu është dhënë një afat 60-ditor për të shprehur opinionin e tyre.
Mazniku theksoi gjithashtu se propozuesit kanë detyrimin ligjor t’i paraqesin Kuvendit edhe mendimin e popullatës që banon në njësitë që do të riorganizohen.
“Neni 89 ngarkon propozuesit që t’i paraqesin Kuvendit mendimin e popullatës që banon në ato njësi që do të riorganizohen. I kemi dhënë mundësinë të gjitha bashkive, në raport me Kushtetutën, të shprehen dhe, së dyti, në përputhje me nenin 89, pika b, i paraqesim këtij komisioni mendimin e popullatës që banon në këto njësi që do të riorganizohen.”
Mazniku argumentoi se konsultimi me bashkitë nuk është një procedurë formale, por lidhet edhe me kompetencat e reja që parashikon ligji për organizimin e territorit vendor.
Lini një Përgjigje