AKTUALITET /

Pas dëshmisë në polici, Adi Hila procedohet në gjendje të lirë për cenim të privatësisë

Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë për instalimin dhe përdorimin e kamerave, si dhe për të zbuluar se si pamjet private janë shpërndarë online.

Shkruar nga Versus

Pas dëshmisë në polici, Adi Hila procedohet në gjendje

Kompozitori Adrian Hila ka qëndruar për rreth tre orë në Policinë e Tiranës, ku është marrë në pyetje lidhur me publikimin online të disa videove të regjistruara në ambientet e tij private.

Pas dhënies së dëshmisë, Hila është lënë i lirë, por vijon të jetë nën hetim për veprën penale të “ndërhyrjes së padrejtë në jetën private”.

Gjatë marrjes në pyetje, kompozitori ka deklaruar se kamerat ishin instaluar që në vitin 2022 dhe se qëllimi i tyre nuk ishte regjistrimi i momenteve intime, por mbrojtja e ambienteve nga keqbërësit.

Sipas dëshmisë së Hilës, në zonën ku ndodhen ambientet e tij kishin ndodhur më herët disa vjedhje, të cilat kishin mbetur të pazbardhura. Ai ka treguar gjithashtu se në zyrën e tij kishte humbur një send me vlerë modeste dhe për këtë arsye kishte vendosur të instalonte kamera si brenda, ashtu edhe jashtë ambienteve.

Nga kontrollet e kryera nga policia, si dhe bazuar në deklarimet e kompozitorit, ka rezultuar se kamerat kanë qenë pajisje të thjeshta dhe të dukshme me sy të lirë. Edhe kamera e vendosur në dhomën e gjumit rezulton të ketë qenë një pajisje me sensorë.

Sa i përket këndit të kamerës, Hila ka deklaruar se pozicionimi i saj ishte përcaktuar nga kompania që kishte kryer instalimin, me argumentin se në atë pikë ishte më i lehtë aksesi me burimin e energjisë.

Ndërkohë, policia vijon hetimet edhe për tre vepra të tjera penale: “përgjimi i paligjshëm”, “ndërhyrja në të dhënat kompjuterike” dhe “keqpërdorimi i pajisjeve”.

Një nga pistat që po hetohet lidhet me mënyrën se si videot kanë përfunduar në internet. Hila ka deklaruar se dyshon se materialet mund të jenë hakeruar dhe policia po punon për të identifikuar burimin e publikimit dhe mënyrën se si pamjet janë nxjerrë nga sistemi.

Në kuadër të hetimit, policia ka kontaktuar edhe me vajzat dhe gratë që janë identifikuar në videot e publikuara. Sipas burimeve, ato kanë deklaruar se nuk kanë qenë në dijeni se po filmoreshin dhe kanë shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me hetuesit për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë për instalimin dhe përdorimin e kamerave, si dhe për të zbuluar se si pamjet private janë shpërndarë online./Versus.al

Poll