Lot dhe emocione, mësuesi del në pension! Nxënësit e surprizojnë, Kumbaro: Duartrokitjet e tyre vlejnë më shumë se çdo fjalë

2 Tetor 2026, 16:40Sociale TEMA
Lot dhe emocione, mësuesi del në pension! Nxënësit e

Pamjet më emocionuese të kësaj të premteje kanë ardhur nga Tropoja, ku nxënësit dhe kolegët e shkollës 9-vjeçare “Besëlidhja e Malësisë” kanë përcjellë në pension mësuesin e Edukimit Fizik, Gëzim Pali. Pas shumë vitesh në arsim, kolegët i organizuan një surprizë të veçantë, ndërsa nxënësit e përcollën me duartrokitje, përqafime dhe shumë emocione. Një mënyrë e bukur për t’i thënë “faleminderit” një mësuesi që për vite me radhë ka qenë pjesë e përditshmërisë së tyre.

Momentet nga kjo ditë i ka ndarë në rrjetet sociale edhe Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, e cila i ka shprehur mirënjohjen mësuesit të Edukimit Fizik. “Faleminderit, profesor Gëzim, për gjithçka ke dhënë ndër vite, të uroj shëndet dhe pension të gjatë e të merituar pranë familjes. Duartrokitjet e nxënësve dhe ngrohtësia e kolegëve vlejnë më shumë se çdo fjalë”, shkruan Kumbaro.

Gjatë viteve të punës në shkollë, Gëzim Pali ka përcjellë te breza nxënësish dashurinë për sportin, por edhe vlera si disiplina, bashkëpunimi, këmbëngulja dhe respekti. Për kolegët ka qenë një bashkëpunëtor i përkushtuar e i respektuar, ndërsa për nxënësit një prej atyre mësuesve që nuk mbeten vetëm në regjistrat e shkollës, por edhe në kujtime.

Dhe në fakt, ndoshta mënyra më e mirë për të kuptuar se çfarë mësuesi ke qenë është pikërisht kjo: kur vjen dita e pensionit, nxënësit të mos duan të të lënë të ikësh pa të përqafuar e duartrokitur. Për Gëzim Palin, kjo ditë erdhi pikërisht kështu.

Pensioni mbyll një pjesë të jetës profesionale, por vitet e kaluara në shkollë vazhdojnë të jetojnë te nxënësit, te kolegët dhe te kujtimet që mbeten. Gëzim Pali largohet nga detyra me një nga “certifikatat” më të bukura që mund të marrë një mësues: mirënjohjen e nxënësve të tij.

Lini një Përgjigje