
Të hënën, më 5 tetor, nis zyrtarisht viti i ri akademik në Shqipëri. Rreth 120 mijë studentë të të tre cikleve të studimit pritet të rikthehen në auditorët e universiteteve publike dhe private.
Rreth 20 mijë prej tyre janë studentë të vitit të parë, ndërsa universitetet publike vijojnë të mbajnë peshën kryesore të pranimeve. Sipas të dhënave të deritanishme, rreth 70% e maturantëve kanë zgjedhur të ndjekin studimet në universitetet publike.
Kreu i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, ka bërë me dije se institucionet e arsimit të lartë janë në fazat e fundit të raundit të dytë të regjistrimeve.
Pas përfundimit të këtij raundi, maturantët që nuk kanë fituar në degët e preferuara do të kenë mundësi të regjistrohen në programe të tjera studimi ku ka ende kuota të lira. Mundësia do të jetë e vlefshme edhe përtej preferencave të përcaktuara më herët në formularin A2.
Referuar të dhënave të Rrjetit Akademik Shqiptar, kuota të lira vijojnë të ketë në universitetet e rretheve, në degët e mësuesisë në universitetet publike dhe private, si dhe në disa programe të tjera studimi në universitetet e Tiranës.
Ndërkohë, degët e Mjekësisë, Teknologjisë së Informacionit dhe Inxhinierisë kanë mbyllur pranimet që në ditët e para të regjistrimeve, për shkak të kërkesës së lartë.
Kështu, me nisjen e vitit të ri akademik, auditorët e universiteteve në të gjithë vendin do të presin studentët e rinj dhe ata që vijojnë studimet në vitet pasuese, ndërsa procesi i regjistrimeve do të vijojë për programet ku ka ende vende të lira.

