Një debat i fortë është zhvilluar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Top Story” të Grida Dumës, ku të ftuar ishin analisti Erald Kapri dhe gazetari Filip Çakulli.
Në fokus ishte edhe drafti i ri i Kodit të Procedurës Penale që pritet të shqyrtohet në Kuvend, por diskutimi mes tyre u përqendrua te arrestimet dhe rastet që lidhen me shkelje të ndryshme, përfshirë energjinë elektrike, ndërtimet pa leje dhe parkimet e paligjshme.
Kapri pretendoi se gjatë viteve të fundit persona janë arrestuar edhe për çështje që lidhen me mospagesën e energjisë elektrike, ndërsa Çakulli e sfidoi duke i kërkuar një rast konkret.
Pjesë nga debati:
Çakulli: “Më thuaj qoftë një rast që ka futur në burg një person që s’ka paguar dritat.”
Kapri: “Ka disa raste shqiptarësh që kanë vrarë veten në paraburgim për shkak të pagesës së dritave. E dini ju këtë gjë apo nuk e dini? Janë arrestuar gjyshe se kanë ndërtuar kotec pulash në oborr.”
Çakulli e kundërshtoi menjëherë, duke argumentuar se këto masa nuk i vendos kryeministri.
Çakulli: “Nuk i arreston Rama, o zotëri.”
Kapri vijoi argumentin e tij duke e lidhur situatën me ndryshimet në legjislacion dhe me përgjegjësinë e qeverisë.
Kapri: “Rama ka bërë ligjin, o zotëri. Rama ka ndryshuar 8 herë Kodin Penal gjatë këtyre viteve.”
Debati vijoi me Kaprin që pretendoi se një pjesë e konsiderueshme e masave të paraburgimit në Shqipëri lidhen me vepra si ndërtimet pa leje, mospagesa e energjisë dhe shkeljet e parkimit.
