
Nga Engjëll Serjani
Një ditë e veçantë në aerodromin e qytetit të gurtë: rreth 30 turistë, kryesisht italianë, mbërritën drejtpërdrejt nga Italia, Greqia dhe Maqedonia e Veriut
Gjirokastra duket se po zbulon një tjetër mënyrë për të pritur turistët. Jo nga rruga, jo vetëm përmes porteve dhe aeroportit të Rinasit, por edhe nga ajri. Sot, aerodromi fushor i qytetit të gurtë u gjallërua nga një pamje që nuk është e zakonshme për Gjirokastrën. Njëmbëdhjetë aeroplanë privatë çarter u ulën në pistën e tij: nëntë prej tyre kishin ardhur nga Italia, një nga Greqia dhe një nga Maqedonia e Veriut.
Prej tyre zbritën rreth 30 turistë, shumica italianë, të cilët e nisën vizitën e tyre në Shqipërinë e jugut pikërisht nga Gjirokastra, qyteti i mbrojtur nga UNESCO. Ishte një ditë që përtej spektaklit të avionëve tregoi edhe një mundësi të re për turizmin e jugut: atë të udhëtimit ajror me avionë të vegjël privatë, një formë turizmi që mund ta afrojë më shumë Gjirokastrën me vizitorë që zgjedhin të udhëtojnë shpejt dhe drejtpërdrejt drejt destinacioneve turistike.
“Fusha e aeroplanit” zgjohet sërish
Për gjirokastritët, aerodromi nuk është thjesht një pistë uljeje-ngritjeje. Ai është pjesë e kujtesës së qytetit. “Fusha e aeroplanit”, siç vazhdojnë ta quajnë shumë banorë, ka hyrë edhe në letërsinë e qytetit përmes “Kronikës në gur” të Ismail Kadaresë.

Por ajo që ndodhi sot kishte një kuptim tjetër. Aerodromi nuk ishte vetëm pjesë e kujtesës. Ai u kthye në një pikë reale mbërritjeje për turistët e huaj. Ngjarja demonstroi gjendjen e përshtatshme teknike të aerodromit për uljen dhe ngritjen e avionëve të kësaj kategorie dhe, njëkohësisht, solli në vëmendje një treg turistik që deri tani ka qenë pothuajse i paprekur për jugun e Shqipërisë: turistët që udhëtojnë me avionë privatë.
Jo më nga Rinasi, drejtpërdrejtë në Gjirokastër
Aerodromi i Gjirokastrës, i ndërtuar në vitin 1934 nga italianët, ishte certifikuar në vitin 2023 nga Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar për avionë çarter me peshë deri në 5 tonë. Disa avionë të kësaj përmase kanë mundur të ulen e të ngrihen edhe më parë. Por procedura nuk ka qenë e thjeshtë.
Avionët duhej të procedoheshin fillimisht në Aerodromin “Nënë Tereza” në Rinas dhe, pas vizitës, të largoheshin përsëri nga territori shqiptar përmes Rinasit. Në Gjirokastër mungonin shërbimet e kontrollit doganor dhe policor, ndërsa edhe karburanti special për avionët duhej të transportohej nga Rinasit. Për turistët e ajrit, kjo nënkuptonte kohë dhe kosto shtesë. Risia e aktivitetit të sotëm ishte pikërisht këtu: turistët zbritën drejtpërdrejt në Gjirokastër.

Në aerodrom ata gjetën shërbimet që më parë mungonin – kontrollin doganor, kontrollin policor të pasaportave dhe të dokumentacionit të pilotëve – si dhe furnizimin me karburant të nevojshëm për avionët. Kështu, “fusha e aeroplanit” nuk ishte më vetëm vendi ku avioni mund të ulej. Ajo u kthye në një portë hyrëse për turistët.
Një “open day” mbi qytetin e gurtë
Aktiviteti i sotëm ishte konceptuar edhe si një veprimtari promovuese për gjallërimin e aerodromit të Gjirokastrës. Pas mbërritjes, turistët patën mundësinë të vizitonin qytetin e gurtë dhe të njiheshin nga afër me një prej destinacioneve më të rëndësishme turistike të jugut të Shqipërisë.
Por avioni ishte vetëm një pjesë e aventurës. Për turistët që zgjedhin këtë mënyrë udhëtimi, vetë fluturimi mbi peizazhet e jugut është pjesë e përvojës turistike. Malet, luginat, lumi dhe qytetet historike shfaqen nga një këndvështrim krejt tjetër. Është pikërisht ky kombinim – udhëtimi me avion privat, mbërritja në një aerodrom historik dhe vizita në një qytet të UNESCO-s – që mund t'i japë një kuptim të ri asaj që mund të quhet avioturizëm në Shqipëri.

Gjirokastër–Latiano, një bashkëpunim që sjell avionët
Nisma e sotme u bë e mundur përmes bashkëpunimit ndërmjet Bashkisë së Gjirokastrës dhe Bashkisë Latiano në Itali. Dy bashkitë janë duke përgatitur edhe nënshkrimin e një marrëveshjeje binjakëzimi mes dy qyteteve. Kështu, avioni nuk ishte vetëm mjet udhëtimi. Ai u kthye edhe në një mënyrë për të lidhur dy komunitete dhe dy territore në të dy anët e Adriatikut.
Nga Dino Çiço te turistët e ajrit
Për gjirokastritët, kjo ditë kishte edhe një ngjyrim tjetër. Aeroplanët që u ulën sot në fushën e qytetit dukej sikur sillnin në jetë një prej atyre historive urbane që Gjirokastra i ka ruajtur në kujtesën e saj dhe në letërsi. Është historia e Dino Çiços, personazhit të njohur të lagjes së vjetër të Hazmuratit, i cili, sipas rrëfimeve të qytetit, u përpoq të shpikte një aeroplan me një mekanizëm të quajtur “prepe mobile”, një lloj makinerie apo motori që synonte të funksiononte me një karburant me kosto të ulët.

Për këtë përpjekje ai u arrestua nga “kadiu”, siç quhej gjykatësi i kohës, dhe u mbyll në burgun e “Shtatë Penxhereve” në kala, prej nga edhe realizoi një arratisje spektakolare. Historia e Dino Çiços është një prej atyre legjendave urbane që përzihen natyrshëm me humorin dhe fantazinë karakteristike të qytetit të gurtë. Sot, shumë dekada më vonë, mbi të njëjtën hapësirë nuk flitej më për shpikjen e një aeroplani.Aeroplanët ishin aty. Njëmbëdhjetë të tillë. Dhe bashkë me ta, rreth 30 turistë që kishin zgjedhur të mbërrinin në Gjirokastër nga ajri.
Ndoshta, në hyrje të aerodromit, një ditë Bashkia e Gjirokastrës do të vendosë një tabelë që t'u tregojë vizitorëve edhe këtë histori: atë të qytetit që dikur ëndërronte të fluturonte dhe që sot po pret turistët që vijnë nga qielli.
