Këshilli i Ministrave miratoi më 2 tetor projektligjin “Për Tregjet e Kripto-Aseteve”, të hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), duke hedhur një hap drejt krijimit të një kuadri të posaçëm ligjor për tregun e kriptomonedhave në Shqipëri.
Projektligji synon të përcaktojë rregullat për tregtimin dhe ofrimin e shërbimeve që lidhen me kripto-asetet në vend, në përputhje me standardet dhe rregullat e Bashkimit Evropian.
Nisma përafron legjislacionin shqiptar me Rregulloren e BE-së 2023/1114, e njohur si MiCA. Në projektligj parashikohen rregulla për emetimin e kripto-aseteve, funksionimin e platformave të tregtimit, ruajtjen dhe këmbimin e tyre, si dhe për shërbime të tjera që lidhen me këtë treg.
Një prej objektivave kryesore është rritja e transparencës dhe mbrojtja e investitorëve. Kuadri i ri përcakton kërkesa për kapitalin, qeverisjen e kompanive, menaxhimin e konflikteve të interesit dhe sigurinë kibernetike.
Projektligji parashikon gjithashtu masa për parandalimin e abuzimit me tregun dhe pastrimit të parave, duke synuar që aktiviteti i operatorëve që ofrojnë shërbime në fushën e kripto-aseteve të zhvillohet brenda rregullave të përcaktuara.
Në këtë mënyrë, tregu i kripto-aseteve në Shqipëri synohet të funksionojë mbi një kuadër më të qartë ligjor dhe në përputhje me standardet evropiane.
Projektligji parashikon edhe një trajtim të diferencuar për llojet e ndryshme të kripto-aseteve, në varësi të karakteristikave dhe nivelit të rrezikut që paraqesin.


