Maran: Finlanda na bën të luajmë keq! Hysaj: Objektivi është të jemi të parët
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, dhe mbrojtësi Elseid Hysaj kanë dalë në konferencën zyrtare për shtyp në stadiumin “Helsinki Olympic”, në prag të ndeshjes së Shqipërisë ndaj Finlandës.
Maran u ndal te karakteristikat e kundërshtarit, duke e cilësuar Finlandën një skuadër të organizuar dhe të vështirë për t’u përballur. Tekniku italian theksoi gjithashtu rëndësinë e angazhimit maksimal të futbollistëve të tij, ndërsa foli edhe për rolet e Mitajt dhe Pilos.
“Ndryshimi mes Bjellorusisë dhe Finlandës? Janë dy skuadra që kanë sisteme të ndryshme loje, por janë shumë të organizuara. Finlanda është një skuadër e vështirë, bën të luajë keq kundërshtarin. Janë të ngjashëm në mënyrën se si rrinë në fushë, shumë të ngushtë, që i mohojnë shpejtësinë ekipit kundërshtar.
Pilo dhe Mitaj majtas? Lojtarët duhet të vihen në shërbim të skuadrës me cilësitë e tyre. Pres që lojtarët që hyjnë në fushë të vendosin cilësitë në shërbim të ekipit. Ne, për të qenë një ekip konkurrues, duhet të shtyjmë shumë dhe të japim më shumë se 100%. E pres këtë nga të gjithë, kam fatin që kam djem me këto karakteristika e me përkushtim.
Kur e kemi treguar këtë, kemi shfaqur më shumë cilësi sesa mendonim se kishim. Janë lojtarë që mund të kenë role të ndryshme, kanë karakteristika të ndryshme. Nuk mund të plotësojnë njëri-tjetrin duke luajtur bashkë, mund të alternohen, si aktualisht.
Kerjota? Unë kam ftuar disa lojtarë më shumë për të kompletuar grupin, pasi ishin shumë ndeshje dhe doja t’i njihja. Ai nuk kishte mundësinë, apo nuk ishte momenti që ta rreshtoja, por bënte pjesë e një hyrjeje në këtë grup për ta njohur më mirë. Të shohim nëse krijohet mundësia, por ishte e parashikuar”, tha ai.
Ndërkohë, Elseid Hysaj foli për brezin e ri të futbollistëve shqiptarë dhe rëndësinë e mbështetjes që lojtarët me më shumë eksperiencë duhet t’u japin të rinjve.
“Të them të drejtën, edhe kam ndarë pak përvojë, pak nga ato që kam kaluar në të kaluarën. Por zakonisht tani ka ndryshuar një çikë kjo puna e gjeneratës, kështu që duhet t’i marrim ne të rinjtë dhe t’i përkrahim dhe t’u japim një dorë për t’u rritur, sepse janë pak më të brishtë sesa koha që ishim ne.
Po sigurisht janë lojtarë me kualitet dhe s’kanë shumë nevojë që t’i ndihmoj, kështu që jam i kënaqur për këtë pjesë.
Kemi një skuadër shumë të fortë. Kur u hodh shorti i grupit në fillim, ishte një grup i fortë, ku Finlanda dhe Bjellorusia janë dy skuadra që kanë gati të njëjtin nivel si ne. Por sigurisht ishte një objektiv i yni që në fillim që duhet ta kalojmë këtë grup, duhet të jemi të parët.
Sepse, siç e kam thënë dhe më përpara, ne jemi një skuadër në evolucion, jemi një skuadër që duhet të kërkojmë më shumë nga secili nga ne. Kemi dhe trajnerin e ri që po na jep një dorë shumë të mirë për të bërë një lojë më të bukur, më sulmuese. Kështu që për tani jam shumë i kënaqur.”
Hysaj u ndal edhe te talentet e reja shqiptare, duke vlerësuar alternativat që po krijohen në mesfushë dhe sulm, ndërsa theksoi se në mbrojtje ka më pak alternativa të reja.
“Të them të drejtën, besoj që janë duke dalë shumë lojtarë nga të rinjtë, nga shqiptarët. Po e vetmja gjë që ndoshta po mungon, një fije nga ana e mbrojtësve, që s’po dalin shumë mbrojtësa, po besoj që mesfusha dhe sulmi ka shumë zgjidhje, ka shumë lojtarë të fortë.
Si dhe vetë Qefalija, si dhe Sina që erdhi, janë lojtarë të mirë, Hasa. Janë lojtarë që kanë një të ardhme përpara, kështu që besoj që Shqipëria do të jetë e mbrojtur dhe për të ardhmen”, tha Hysaj.
Shqipëria mbyll përgatitjet për Finlandën, Maran merr lajmin e mirë për grupin e lojtarëve
“Të Jesh”, Elbasani në ritmin e teatrit bashkëkohor, nis edicioni i 28-të i “Skampa”
Rama dhuron gjak, vijon tradita në Kryeministri: “Dhuro gjak, shpëto jetë”
- 18:29 Zjarr i madh në Belsh, flakët përhapen pranë banesave dhe ullishteve
- 18:02 Shqipëria mbyll përgatitjet për Finlandën, Maran merr lajmin e mirë për grupin e lojtarëve
- 17:47 “Të Jesh”, Elbasani në ritmin e teatrit bashkëkohor, nis edicioni i 28-të i “Skampa”
- 17:17 Bardhi: Mazhoranca po bllokon Komisionin Hetimor për KAYO-n
- 17:14 Ushqimet e ëmbla gjatë trajtimit me antibiotik dëmtojnë mikrobiomën e zorrëve
- 17:12 Humbjet e energjisë, Kukësi në krye me 34.9%, Fieri më i ulëti