Muli kritikon Tritanin pse mbrojti Braçen

2 Tetor 2026, 18:52Antena TEMA

Një incident i rëndë ka ndodhur sot para zyrave të Kuvendit. Disa protestues nga Memaliaj, që Tritani i kishte sjellë në Kuvend, iu turrën Erion Braçes duke e fyer, ndërsa hynte në Kuvend. Ai u rikthye dhe u fut në mes të turmës për t’u përballur me ta. Aty, për pak, ndodhi një incident që mund t’u kishte kushtuar protestuesve.

Tritani, që organizonte protestën, hyri menjëherë dhe e tërhoqi Braçen nga turma.

Kjo gjë e mërziti shumë Mulin.

E thirri Tritanin dhe e bëri për një lek.

– Si s’të vjen turp, – i tha, – që shpëton një deputet të Edi Ramës nga populli opozitar?

– Nuk janë opozitarë, – i tha Tritani. – Janë nga Memaliaj.

– Po ç’do të thotë nga Memaliaj? Opozitarë janë.

– Po jo, mo djalë, se janë punonjës bashkie. Kanë frikë se mos i heqin nga puna këta të Tepelenës kur ta marrin. Aq hall kanë.

– Po ti pse e hoqe Braçen? – i tha.

– Po e hoqa se mund t’u thoshte që ju nuk prek njeri në bashki dhe pastaj më ktheheshin mua: “Pse na gënjeve?” S’do të rrija të rrihesha me ta.

– Po a i solle ti ata aty?

– Unë me kryetarin.

– Po kryetari ku ishte?

– Kryetari ishte brenda, në zyrat e Kuvendit, në komision.

– Po pse nuk e nxorre atë jashtë?

– Atë e kam më frikë se këta punonjësit. Se edhe ai, po i thanë këta të PS-së “do të të kandidojmë ty”, bëhet me ata. Ndaj rrija vetë aty, të ruaja protestuesit nga PS-ja, jo të ruaja PS-në nga protestuesit.

– E kuptova, – tha Muli. – Edhe një herë që do të bësh protestë, prapë me lekët e PS-së do ta bësh.

Lini një Përgjigje