Berisha nga Korça: Sot shqiptarët janë në gjendjen më të keqe ekonomike, nuk përballojnë dot as ilaçet

Kryedemokrati Sali Berisha ishte i pranishëm ditën e sotme në Korçë në kuadër të “Ripërtëritjes”. Gjatë fjalës së tij Berisha u ndal te gjendja e vështirë ekonomike në të cilën ndodhen shqiptarët.
Berisha tha se sot shqiptarët po përballen me çmime të larta për shkak të keqqeverisjes, ndërsa pensionistët nuk mund të përballojnë dot ilaçet.
“Sot, shqiptarët janë më të varfrit, më të keqpaguarit në të gjithë Evropën, në të gjithë Ballkanin.
Sot mijëra e mijëra pensionistë shqiptarë u shkurtojnë jetën sëmundjet sepse nuk mjekohen dot, sepse nuk marrin dot ilaçet.
Një mik i imi, i cili është në pension dhe merr një pension jo të vogël, e lexoj, shkruante një ditë: shkova në farmaci për të marrë ilaçin, ilaçi ishte për ata që jepet kundër mpiksjes së gjakut. Farmacistja më tha që nuk ka marrë rimbursim.
E llogarita ilaçin që duhej të blija, në një vit më kushtonte tre pensione vetëm ky ilaç.
Po unë t’u them ju, se për ata që nuk kanë pension të plotë, ky ilaç kushton 12 pensione.
Çfarë do të thotë? Këtë ilaç nuk mund ta marrin. Por mpiksja e gjakut me moshën shtohen.
Po sa e sa nëna e baballarë, njerëz të nderuar që kanë shkrirë jetën e tyre për të mësuar fëmijët tanë, në ara, në biznese, në ferma, në fabrika dhe kudo, infermierë që kanë kaluar jetën duke ndihmuar të sëmurët, tani nuk marrin ilaçet me këto pensione”, tha Berisha.




