Simboli i veçantë i shqiponjës dykrenore në Majën e Korabit, është vandalizuar dhe në vend të saj, në majën e malit më të lartë në Shqipëri, 2,764 metra mbi nivelin e detit, është vendosur flamuri maqedonas.
Ky episod duhet hetuar nga autoritetet shqiptare dhe nuk duhet mbajtur i izoluar, pasi në Maqedoninë e Veriut kanë lajthitur dhe në gjuhën e mediave vendase, shihet se ato përpiqen të tregojnë Korabin si pjesë të tyren.
Por duan, s'duan maqedonasit, Mali i Korabit është maja më e lartë në Shqipëri dhe i takon Shqipërisë. Ai ndodhet në kufirin mes dy vendeve, në rajonin e Dibrës, dhe përfaqëson një simbol të natyrës alpine shqiptare, me peizazhe, shpate të thepisura, shkëmbinj të mëdhenj dhe livadhe alpine të pasura me biodiversitet unik.
Lajmi ka parë pasqyrim të gjerë në Maqedoninë e Veriut dhe mediat atje shkruajnë me krenari për heqjen e simbolit shqiptar dhe zëvendësimin e tij me flamurin maqedonas.
Sipas tyre, shqiponja dykrenore që ishte shndërruar në një atraksion turistik për alpinistë vendas e të huaj, është larguar prej andej nga disa persona që në Maqedoni ua fshehin fytyrat, dhe me krenari, raportojnë ato, aty valëvitet flamuri maqedonas.
